Nga Maringlen ZHIVANI

Situata e futbollistëve të rinj shkodranë te Vllaznia duket se nuk po shkon ashtu siç duhet. Pas largimit të Antonio Delajt drejt Elbasanit, ku klubi shkodran ruajti vetëm 30% të kartonit në rast rishitjeje, nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se drejtuesit kanë marrë vendimin të huazojnë edhe dy lojtarë të tjerë të dalë nga Akademia.

Fjala është për Xhoel Hajdarin dhe Aris Arën. Të dy futbollistët konsideroheshin si pjesë e brezit premtues të skuadrës, por nuk kanë gjetur hapësirë në planet e trajnerit Edi Martini për sezonin e ri.

Largimi i tyre, i kombinuar me disa afrime nga tregu i huaj, po ushqen edhe më shumë debatet mbi strategjinë e klubit për zhvillimin e talenteve vendase.

Për shumë tifozë, ky është një sinjal i qartë se futbollistët e dalë nga Akademia nuk po marrin vlerësimin e merituar, duke u detyruar të kërkojnë minuta lojë në ekipe të tjera. Situata mbetet e hapur për diskutim, ndërsa Vllaznia do të nisë kampionatin me një përbërje ku dominon elementi i ardhur nga jashtë.(www.shkodrasport.com)