Nga Maringlen ZHIVANI

Edon Hasani mund të jetë afrimi i parë i Pogradecit. Mesfushori shkodran është emri i parë në listën e dëshirave të drejtuesve pogradecarë. Këta të fundit duan të nisin punën sa më shpejt për rindërtimin e ekipit, në mënyrë që sezonin e ardhshëm të ngjiten në Superiore.

Burime brenda klubit, por edhe pranë futbollistit, konfirmojnë për “Shkodra Sport” se mes palëve ka patur kontakte, edhe pse është shumë herët për të dalë në detaje përfundimtare.

Hasani këtë sezon ishte pjesë e Elbasanit, por për shkak të problemeve që pati me dëmtimet, u largua nga kjo skuadër në fund të sezonit, duke mos arritur të ishte pjesë e rregullt e ekipit, edhe pse dha kontribut në ngjitjen e tyre në Superiore. Firma e Hasanit në Pogradec nuk është e lehtë në dukje, pasi edhe mesfushori shkodran ka vendosur kushtet e tij.

Megjithatë, të dhënat e tjera do të mësohen në ditët në vijim. Gjithsesi, drejtuesit pogradecarë kanë nisur punën për t’i ndryshuar fytyrën ekipit dhe për të sjellë emra të rinj, të cilët do të ndihmojnë në përmirësimin e grupit dhe krijimin e një ekipi, i cili do të luftojë për ngjitjen në Superiore.(www.shkodrasport.com)