Te Vllaznia ka ardhur afrimi i rradhës. Kështu, mesfushori Ensar Tafili ka hedhur firmën në kontratë dhe për tre sezone do të jetë pjesë e skuadrës shkodrane. Futbollisti, përpara se të zhvillonte seancën e parë stërvitore me ekipin, ka qenë i pranishëm dje në zyrat e klubit, aty ku është pritur nga drejtori Tefik Osmani dhe presidenti Alban Xhaferi dhe ka firmosur kontratën e ofruar.

Shkodrani Tafili luan në qendër të mesfushës dhe në fakt bëhet fjalë për një futbollist premtues, i cili kërkon të bëjë më të mirën për skuadrën e qytetit të tij. Ai është një element që ka spikatur me paraqitjet e tij edhe me ekipet e Akademisë Vllaznia kur ishte në Shkodër pak kohë më parë, por edhe me Akademinë e Partizanit së fundmi.

Tashmë, ai rikthehet sërish të luajë për ngjyrat kuqeblu, por kësaj herë për ekipin e parë të Vllaznisë. Kujtojmë se, Ensar Tafili vjen nga një familje shumë e njohur në sport, kryesisht në atë të çiklizmit, sepse xhaxhallarët e tij, Agimi dhe Sytkiu janë shumë të njohur në këtë fushë, ndërsa babai i tij Shkëlqimi është marrë me qitje.

Megjithatë, mesfushori 19-vjeçar ka vendosur të ndjekë rrugën e djalit të xhaxhait, Alsidit, i cili është një emër shumë i njohur në Shkodër prej shumë vitesh si futbollist, por së fundmi tashmë edhe si menaxher dhe trajner. Tashmë, në këtë rikthim të tij në Shkodër, Ensar Tafili do të tentojë të spikasë me ekipin e parë të Vllaznisë dhe padyshim që ai mund të ketë mundësi për të dhënë shumë për kuqeblutë, pasi realisht 19-vjeçari konsiderohet si një mesfushor me mjaft të ardhme.
Maringlen ZHIVANI