Tjetër risi për futbollin e moshave në Shkodër. Ditët e fundit është krijuar edhe një tjetër Akademi futbolli e cila do t’i shtohet shumë të tjera që funksionojnë në kryeqendrën e Veriut të Shqipërisë. Bëhet fjalë për Akademinë “Elita Shkodrane” e themeluar dhe e drejtuar nga një emër i njohur i futbollit si Erion Mandi.

Ky i fundit ka vite që punon si trajner moshash në Shkodër dhe tashmë ka vendosur që të krijojë Akademinë e tij. Për momentin do ta nisë me një grup të vogël bashkëpunëtorësh e pikërisht me Denis Çokaj dhe trajnerin e portierëve Përparim Gëlqerja.

Për momentin “Elita shkodrane” është në hapat e parë të saj dhe objektivi që ka në mendjen Mandi është të krijojë sistemin e ekipeve zinxhir nga U7 deri tek U15. Ekipet do të fillojnë stërvitjet më datë 1 shtator dhe për momentin janë dy terrene sportive në dispozicion të tyre, fusha e kompleksit sportiv “Zmijani” dhe kalçetoja në Berdicë.

Sipas themeluesit të kësaj Akademie, fokusi i largët, ndoshta edhe jo shumë i largët është edhe krijimi i ekipeve U17 dhe U19 e më pas edhe i ekipit të të rriturve, duke e kompletuar kësisoj të gjithë sistemin e ekipeve. Kuptohet që janë hapat e parë dhe dëshira nuk mungon, megjithatë do të jetë vazhdimësia ajo që do të tregojë gjithçka.

Erion Mandi gjatë gjithë këtyre viteve ka treguar se di të ketë sukses në punën si trajner dhe tashmë këtë gjë do të tentojë ta bëjë edhe me Akademinë që sapo ka krijuar. Sipas tij, “Elita Shkodrane” do ta thotë shumë shpejt fjalën e saj në futbollin e moshave në Shkodër dhe jo vetëm.(www.shkodrasport.com)