Nga Endri ÇINARI

Ersi Zaganjori, mesfushori shkodran që iu bashkua Lushnjes në këtë merkato verore, duket se është përshtatur mjaft mirë me ekipin e ri. 20-vjeçari ka ditur të jetë protagonist në të gjitha miqësoret e lagunarëve në këto përgatitje verore. Duke fituar vendin në formacion, por edhe duke udhëhequr ekipin jeshil me gola në fushën e lojës.

E shkëlqyer ka qenë performanca e ish-futbollistit të Vllaznisë në miqësoren e fundit që Lushnja ka zhvilluar ndaj Trepça 89. Në duelin e zhvilluar në Tropojë, ku lushnjarët po zhvillojnë fazën përgatitore, gjithçka ka përfunduar në shifrat 3-3. Dhe “ylli” kryesor i ndeshjes do ishte pikërisht fantazisti shkodran. Zaganjori do hapet rrugën e golave fillimisht për Lushnjen, falë një aksioni personal.

Po ashtu ai do ishte sërish iniciatori i golit të dytë për ekipin e Xhafes, ku sërish një goditja e tija do merrte devijimin e mbrojtjes kundërshtare, duke përfunduar në rrjetë. Por nuk do ndalej me kaq Zaganjori, që do shënonte sërish për golin e shifrave 3-1 në favor të Lushnjes. Avantazh që do arrihej në fund nga mitrovicasit e Trepça 89, që do barazonin për shifrat finale të 3-3.

Nivel i i treguar nga Zaganjori në këto përgatitje verore po paraqet cilësitë e tij. Cilësi të cilat kënaqin të gjithë tek Lushnja, me lagunarët të cilët kanë bërë “bingo” në merkato. Ku kanë afruar një futbollist që mund të bëjë diferencën dhe ndihmojë skuadrën në objektivin për të siguruar një vend në Superiore sezonin e ardhshëm.(www.shkodrasport.com)