Nga Endri ÇINARI
Prej së dielës Vllaznia ka udhëtuar drejt Sllovenisë, ku do zhvillojë fazën përgatitore të verës për një periudhë 10-12 ditore. Në këtë mënyrë kuqeblutë do jenë nën një ritëm akoma më të lartë seç ishin në këto javë të para të përgatitjeve për edicionin e ri. Teksa nën urdhërat e Martinit, të gjithë futbollistët aktualë të kuqebluve do jenë në “zbor”.
Kjo për të qenë të gatshëm fizikisht fillimisht për të përballuar duelet e Conference League e më pas ato të kampionatit, që nis në muajin gusht. Megjithatë në Maribor ku konkretisht janë tashmë të vendosur 9 herë kampionët e vendit tonë, vëmendja nuk do jetë vetëm tek stërvitja, por edhe zhvillimi i ndeshjeve. Kështu sipas asaj çfarë zbulon gazeta, në plan janë edhe zhvillimi i minimalisht dy ndeshjeve miqësore.
Kundërshtarët momentalisht nuk bëhen të ditur, por do jenë ekipe vendase ose skuadra që po zhvillojnë përgatitjet në të njëjtin vend ku tashmë janë të vendosur kuqeblutë.
Tashmë zyrtarisht shkodranët kanë startuar fazën përgatitore verore, që do zgjasë deri në datën 2-3 korrik dhe më pas shkodranët do kthehen në Shqipëri, ku do zhvillojnë përgatitjet finale para përballjeve të Conference League ndaj Daugavpils.(www.shkodrasport.com)