Më 14 shtator, për herë të parë në Shkodër do të zhvillohet një Maratonë gjithëpërfshirëse. E programuar për t’u zhvilluar me grupmosha të ndryshme, kjo Maratonë pritet ta kthejë qytetin në një festë të vërtetë sportive ngaqë edhe itinerari i saj është në një pjesë shumë të frekuentuar.
Inisiatori dhe organizatori kryesor i kësaj Maratone është Albert Karashi, kryetari i Shoqatës së Atletikës Vllaznia. Në një intervistë për Gazeta “Shkodra Sport” ai ka shpjeguar edhe arsyen pse ndërmori këtë inisiativë dhe cilat janë pritshmëritë e tijë për Maratonën e muajit të ardhshëm.
– Marashi, si lindi ideja për të organizuar Maratonën e 14 shtatorit në Shkodër?
Në kuadër të projektit “Shkodra, qyteti europian i sportit”, Bashkia ka hapur thirrjen e hapur për projekte të ndryshme dhe konkretisht “Maratona e Shkodrës dhe Kupa e Ikonave”. Në emër të Shoqatës së Atletikës “Vllaznia” që unë drejtoj, kam aplikuar dhe e kam fituar projektin në fjalë për organizimin e këtyre aktiviteve të atletikës dhe po i realizojmë ato.
– Po pse Maratonë në Shkodër, ngaqë nuk ka ndonjë përvojë të mëparshme në këtë fushë?
Meqenëse kisha kërkuar që të bëheshin aktivitete, më lindi ideja për të organizuar edhe një mini- Maratonë fillimisht, që të kishte gjithëpërfshirje, e në të të merrnim pjesë nxënës të shkollave 9 vjeçare dhe të gjimnazeve. Kjo me idenë për t’i ofruar një mundësi më shumë të rinjve që të merren me sport. Po ashtu kisha shumë dëshirë që të kishte edhe një përfshirje qytetare, pavarësisht nëse merren me sport apo jo, me idenë që të gjithë duhet të vrapojmë, për një shëndet më të mirë. Jam nisë me idenë që kjo Maratonë të mos jetë vetëm për profesionistë, por e hapur për të gjithë.
– A mendon se do të ketë sukses meqenëse është hera e parë që organizohet?
Besoj se po, meqenëse është hera e pare në këtë format, ku ka disa kategori të përfshira, sepse ne e dimë që në Shkodër janë zhvillur edhe maratona të tjera, por kanë qenë në një nivel më shumë profesionist. Por, mendoj që kjo duhet të vazhdojë dhe të jetë e përvitshme dhe ta fusim atë në kalendarin e “World Athletics”.
-A keni gjetur mbështetje për organizimin e Maratonës së 14 shtatorit?
Po. Kam pasë mbështetjen e Bashkisë dhe të Federatës së Atletikës. Krahas tyre kam pasë edhe mbështetjen e biznesit vendas dhe dua t’i falenderoj të gjithë.
– Mendoni se 14 shtatori do jetë një festë sportive për Shkodrën?
Mendoj se 14 shtatori do të jetë nje sensibilizim për të gjithë qytetarët, ku të gjithë duhet të vrapojmë për një jetë më të mirë dhe më të shëndetshme. Jo pa qëllim kemi zgjedh një itinerar në rrugët kryesore të qytetit.
– Aplikimet e pjesmarrjes sapo kanë filluar. A duket se ka interesim për të marrë pjesë?
Po, aplikimet kanë nisur dhe do të jenë të hapura deri më 10 shtator. Deri me tani, ka një regjistrim të kënaqshëm, po ashtu kam edhe disa konfirmime për t’u regjistruar në ditët në vijim.
-Së fundi, cila eshte thirrja juaj per te gjithe sportdashesit?
Dua t’u bëj thirrje të gjithëve për një pjesmarrje sa më të madhe. Ta shpërndajnë të gjithë në rrjetet sociale që të gjithë të informohen, e më pas të gjithë sëbashku thjesht të vrapojmë. E rëndësishme është që të përfshihemi të gjithë sepse do të jetë diçka e bukur për Shkodrën.