Tri vite e gjysmë pas triumfit të tij të fundit në Bundesliga me Bayernin, në maj të vitit 2021, Hansi Flick festoi një tjetër trofe, këtë herë si trajner i Barcelonës. Superkupa e Spanjës, e fituar thellë 5-2 ndaj Real Madridit në finalen e Jeddah (Arabia Saudite), ishte trofeu i parë që gjermani fitoi si trajner i klubit katalanas.
Me Bayernin, Flick kishte fituar shtatë tituj, përfshirë “sextete”-n e famshme të vitit 2020 (Bundesliga, Kupa e Gjermanisë dhe Champions League e sezonit 2019-20, Superkupa e Gjermanisë, Superkupa e Europës dhe Kampionati Botëror për Klube në sezonin 2020-21) dhe Bundesligën e sezonit 2020-21. Deri tani, Flick i ka fituar të gjitha, gjashtë finalet ku ka konkurruar, 5 me Bayernin dhe një me Barcelonën.
Pas triumfit të fundit, Flick doli në konferencë për shtyp në stadiumin “King Abdullah Sports City” dhe shprehu kënaqësinë e tij: “Luajtëm një ndeshje fantastike. Sot është një ditë për të qenë pozitivë dhe optimistë. Ekipi është i jashtëzakonshëm. Lojtarët tashmë ndiejnë se jemi një ekip i madh. Thjesht më mbetet t’i përgëzoj ata. Gjithmonë mbajtëm unitetin. Mbrojtëm dhe sulmuam bashkë, ky ishte çelësi. Objektivi është të mësojmë nga çdo ndeshje dhe të përmirësohemi ditë pas dite”.
Pra, për trajnerin gjerman, stili dhe uniteti janë themeli i suksesit: “Më pëlqen të kem një ekip që luan me një stil konkret. Kjo është e rëndësishme. Sot bëmë disa gabime, ndaj duhet t’i minimizojmë ato. Kur kemi topin, gjithçka bëhet më e lehtë”.
Duke komentuar për pjesën e dytë të ndeshjes, ku Barça luajti me 10 lojtarë pas përjashtimit të Szczesny-t, Flick vlerësoi shpirtin luftarak të ekipit: “Nuk është e lehtë të luash me 10 lojtarë kundër Real Madridit. Kemi dy portierë fantastikë. Mbrojtëm si ekip”.
Flick nuk e fshehu ambicien e tij pas këtij triumfi: “Kam qenë në këtë botë për shumë vite. Objektivi i klubeve të mëdha është të fitojnë tituj, për këtë punojmë shumë. Tani duhet të tregojmë, në çdo ndeshje, sa të mirë jemi”.
Në përfundim, Flick falënderoi lojtarët, stafin dhe tifozët: “Jam krenar për lojtarët, për gjithë stafin, tifozët. Ishte e rëndësishme të ktheheshim në lojë pas golit të parë të Mbappé. E bëmë gjithçka siç duhet dhe ishte e pabesueshme”.
Gjermani përmendi edhe rëndësinë e bashkëpunimit me stafin e tij: “E falënderoj stafin tim, sepse diskutuam ndryshimet që duheshin bërë pas përjashtimit të Szczesny dhe dolën të suksesshme”./telesport/