Ka qenë një javë e vështirë, por me një fund të lumtur. Nga anulimi i turneut aziatik në një start me fitore! Ekipi i Hansi Flik bëri një debutim të mirë në Japoni.

Ekipi luajti me një ritëm të lartë dhe tregoi konkurrencë gjatë gjithë kohës. Pjesa e parë ishte e barabartë, me rezultatin e barabartë 1-1. Goli i Eric García e çoi Barçën në epërsi, por Visel Kobe barazoi pak më vonë me një gol nga Taisei Mijashiro. Pjesa e dytë ishte tërësisht për Barçën, që shënoi dy gola me suedezin Bardgi dhe lojtarin e akademisë, Dro Fernandez. Trajneri Hansi Flik ishte shumë intensiv gjatë ndeshjes kundër Kobe dhe nuk e fshehu kënaqësinë e tij, duke theksuar paraqitjen e bërë nga lojtarët e rinj.

NDESHJA – “Ishte një ndeshje shumë e mirë. Ishim shumë të mirë në 30 minutat e para, por në 15 minutat e fundit të pjesës së parë humbëm kontrollin. Në pjesën e dytë, ishim përsëri shumë mirë. Jam i lumtur. Duhet të falënderoj Japoninë për pritjen. Visel Kobe na dha një orientim shumë të mirë. Ata kanë një filozofi të mirë”.

PERIPECITË PËR UDHËTIMIN – “U habita nga vendimi për të mos shkuar, por duhej të kishim shkuar të gjithë së bashku. E respektova këtë dhe në fund, gjithçka shkoi mirë”.

PORTA – Flik pohoi se zgjedhja e Joan Garsias për të veshur numrin 1 ishte “thjesht çështje turneu”. Megjithatë, shembujt që ai dha të bëjnë të mendosh: “Pedri gjithashtu mbante numrin 8, Lamin Jamal, mendoj, mbante numrin 10 …” shtoi ai, duke buzëqeshur. Ai përfundoi duke thënë: “Jo, në të vërtetë, është për turneun”. Të gjithë e kuptuan se çfarë donte të thoshte.

TË RINJTË – Trajneri i Barcelonës këmbënguli të lavdëronte lojtarët e rinj. “Jam shumë i lumtur që kam të gjithë lojtarët e rinj, Dro, Jofre, Runi, gjithashtu Toni dhe Guije, të cilët i njihja që nga turneu i mëparshëm…”. Flik specifikoi në lidhje me Bardgi, se varet nga ai të qëndrojë në ekipin e parë. “Nëse luan kaq mirë, po, por mund ta shihni nivelin e tij në çdo seancë stërvitore. Ashtu si Joan Garsia, Markus Rashford… Duhet të përmirësohemi, nuk do të jetë një sezon i lehtë për ne, as ai i mëparshmi dhe na u desh të luftonim për të fituar titujt”.