Federata Shqiptare e Futbollit organizoi këtë të enjte eventin e rëndësishëm të lançimit të strategjisë “Futbolli për Kombin 2022-2025”. Një strategji me projekte që pritet të sjellin ndryshime cilësore në futbollin shqiptar në 4 vitet e ardhshme e që është bërë ë bashkëpunim me ekspertët më të mirë të UEFA-s pas një pune kërkimore të gjatë.

Të pranishëm në këtë event madhor dhe shumë të rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e futbollit shqiptar ishin Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, si dhe shumë figura të tjera njohura, jo vetëm nga bota e futbollit, por nga të gjitha fushat në Shqipëri si media, arsimi, mjekësia, etj.

Në aktivitetin e zhvilluar në ambientet e stadiumit “Air Albania”, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar shpalosi për të pranishmit dhe opinionin publik strategjinë për katër vitet e ardhshme, “Futbolli për Kombin 2022-2025”.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Duka falënderoi fillimisht të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre në këtë ditë të rëndësishme për të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar, që lidhet me zhvillimin e sportit më të rëndësishëm në vend, përmes kësaj strategjie që është një plan i mirëfilltë pune, i realizuar në bashkëpunim me UEFA-n e që ka si qëllim zhvillimin e futbollit si dhe promovimin e tij në të gjitha trevat shqiptare.

“Fokusi kryesor i punës sonë do të jenë fëmijët dhe të rinjtë, por në të njëjtën kohë do të ndajmë përvojën pozitive të futbollit me të gjithë qytetarët dhe do t’u ofrojmë atyre mundësinë për t’u angazhuar në futboll”, – u shpreh Armand Duka në fjalën e tij, teksa kjo strategji do të mbështetet në disa baza të rëndësishme që janë hedhur tashmë nga Federata e Futbollit.

Që nga përmirësimi i organizimit të aktiviteteve të futbollit në vend, marrëdhënia e ngushtë e bashkëpunuese me klubet, zhvillimi i fushës së edukimit në futboll, te përmirësimi i mëtejshëm i infrastrukturës e dialogimi me strukturat shtetërore e shoqatat rajonale për realizmin e këtyre objektivave.

Duka gjithashtu përmendi dhe edhe 9 shtyllat kryesore ku do të mbështetet “Futbolli për kombin 2022-2025” që janë GRASSROOTS ose Futbolli amator dhe i fëmijëve; Edukimi; Kompeticionet kombëtare; ekipet kombëtare; infrastruktura; futbolli i femrave; qeverisja e mirë; marrëdhëniet me publikun; përgjegjësia sociale; duke shpjeguar secilën shtyllë me objektivat përkatëse.

Më poshtë, edhe fjala e plotë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka:

Mirëmbrëma të gjithëve,

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dua t’ju falënderoj shumë që jeni sot të pranishëm në këtë ditë të rëndësishme për ne dhe komunitetin e futbollit shqiptar, ku konkretizojmë strategjinë “Futbolli për Kombi 2022-2025”. Keni në dorë një material të detajuar dhe të mirëmenduar, i cili është një plan i mirëfilltë pune me hapat dhe aksionet për të arritur objektivat e rëndësishëm që kemi vendosur.

I kemi vendosur vetes objektiva të rëndësishëm, duke qenë të vetëdijshëm për rolin dhe fuqinë tonë në shoqëri, duke qenë gjithashtu koshient për kapacitetet tona por dhe duke menduar për të ardhmen e futbollit në vendin tonë e për zhvillimin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme.

Fokusi kryesor i punës sonë do të jenë fëmijët dhe të rinjtë, por në të njëjtën kohë do të ndajmë përvojën pozitive të futbollit me të gjithë qytetarët dhe do t’u ofrojmë atyre mundësinë për t’u angazhuar në futboll.

Si anëtarë të FIFA-s që prej vitit 1932 dhe si anëtarë themelues të UEFA-s që prej vitit 1954, dhe si pjesë e këtij rrjeti, ne dëshirojmë të falënderojmë këto struktura për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për zhvillimin e futbollit në vendin tonë.

Procesi i përgatitjes së këtij dokumenti strategjik ka zgjatur disa muaj, janë organizuar takime me grupet e interesit dhe është përgatitur në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e UEFA Grow, të cilët dëshiroj t’i falënderoj për mbështetjen e tyre shumë të vlefshme edhe në emrin tuaj.

Kjo strategji dhe implementimi i saj do të jetë një forcë shtytëse pozitive në hapësirën sportive dhe sociale në mbarë Shqipërinë dhe gjithashtu do të forcojë lojën e bukur të futbollit e do të promovojë vlerat e tij në të gjithë trevat shqiptare, për të përmirësuar jo vetëm paraqitjet në fushë, por edhe cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët shqiptar. Kjo është shumë e rëndësishme për ne.

“Futbolli për kombin 2025” do të ketë si synim arrij dhe të vazhdojë të mbështetet në disa baza të rëndësishme që kemi hedhur me punën tonë gjithë këto vite, siç janë:

– Përmirësimin e mëtejshëm në mirë në organizimin e të gjitha aktiviteteve të futbollit në vend.

– Ruajtjen e marrëdhënieve të ngushta dhe bashkëpunuese me të gjitha klubet, dhe rritjen e mëtejshme të nivelit te klubeve anëtare të Federatës së Futbollit

– Dialogimin e vazhdueshëm me institucionet shtetërore dhe shoqatat tona rajonale për të mbështetur realizimin e objektivave strategjikë

– Ofrimin e mundësive edukative më të mëdha e më cilësore për trajnerët e klubeve për të ruajtur nivelet e larta të cilësisë.

– Përmirësimi i mëtejshëm infrastrukturës së futbollit në të gjithë vendin

Me lanҫimin e strategjisë “Futbolli për Kombin 2022-2025”, ne kemi vendosur piketa të forta për të ardhmen, duke qenë të ndërgjegjshëm për fuqinë tonë si organizatë dhe për të gjitha mundësitë që kemi për të mbështetur më tej zhvillimin e futbollit në të gjithë Shqipërinë.

Në përpjekje për të përmbushur këto nevoja dhe objektiva gjatë katër viteve të ardhshme, “Futbolli për kombin 2025” do të mbështetet në 9 shtylla kryesore, per secilën prej tyre me objektiva specifike, me nisma të rëndësishme dhe me një plan pune të detajuar në mbështetje të kesaj strategjie. 9 shtyllat e këtij plani strategjik janë:

– GRASSROOTS ose Futbolli amator dhe i fëmijëve

– EDUKIMI

– KOMPETICIONET KOMBËTARE

– EKIPET KOMBËTARE

– INFRASTRUKTURA

– FUTBOLLI I FEMRAVE

– QEVERISJA E MIRË

– MARRËDHËNIET ME PUBLIKUN

– PËRGJEGJËSIA SOCIALE

Pa ju marrë shumë kohë, objektivat kryesorë për secilën shtyllë po i shpjegoj shkurtimisht në vijim.

Grassroots

Pavarësisht aftësive apo gjinisë, futbolli i bazës përqendrohet në përkushtimin tonë për të përfshirë sa më shumë njerëz në futbollin amator dhe krijimin e një mjedisi sa më tërheqës dhe të shëndetshëm.

Si anëtarë të Kartës së UEFA Grassroots, përpjekjet tona nuk do të fokusohen vetëm në rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në futboll, por edhe në mbështetjen e atyre që tashmë e luajnë lojën më të dashur të shqiptarëve.

Ofrimi i programeve dhe mundësive për të luajtur brenda shkollave anembanë vendin, si private ashtu edhe publike, do të jetë çelësi për arritjen e suksesit të Grassroots. Krijimi i lidhjeve efektive midis shkollave dhe klubeve do të jetë gjithashtu i rëndësishëm për të ofruar platformën e nevojshme për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm.

– Në planet tona operacionale dhe organizative është targetuar rritja e numrit të lojtarëve, dhe regjistrimi i 23.000 lojtarëve deri ne vitin 2025, me rreth 50% ne krahasim me numrat aktual.

– çdo vit rritja me 10% e numrit të nxënësve të shkollave që regjistrohen në kampionatet e organizuara nga FSHF, duke rritur bashkëpunimin dhe punën tonë me shkollat

– Dyfishimi i numrit të trajnerëve të licencuar në FSHF deri më 2025.

– Krijimi dhe fillimi i shkollës së futbollit FSHF deri në vitin 2023

Edukimi

Fusha tjetër e rëndësishme është edukimi. Për të hedhur baza të sigurta për suksesin e së ardhmes, FSHF është e vetëdijshme se mundësitë e ofruara për edukim dhe zhvillim duhet të jenë më të mëdha se ato që u ofrohen aktualisht individëve në trajnim, pasi bota e futbollit tanimë është në ndryshim dhe evolucion të vazhdueshëm.

– Ne synojmë të rrisim me 40% e numrit të gjyqtarëve të kualifikuar përmes Akademisë së Arbitrave deri në vitin 2025;

– Rritja e numrit të gjyqtarëve të licencuar nga FIFA në 20 gjyqtarë deri në vitin 2025;

– Dyfishimi i numrit total të trajnerëve të licencuar në klube deri në vitin 2025;

– Arritja e statusit të nivelit Gold (më të lartë të mundshëm), për licencimin Grassroots (femra) deri në vitin 2025, aktualisht jemi në nivel Silver;

– Të sigurojmë që trajneri i ekipit të parë në të gjitha klubet profesioniste të jetë në nivelin e licencës Pro deri në vitin 2025;

– Të sigurojmë që trajneri dhe ndihmësi i ekipit të parë të çdo klubi të Kategorisë Superiore të kenë një licencë UEFA Pro deri në vitin 2023;

– Rritja me 30% e numrit të femrave që përfitojnë licencën UEFA A deri në vitin 2025

– Rritja e numrit të femrave që bëhen trajnere të ekipit të parë në klubet profesionale të të rinjve;

Ne lidhje me aspekte të tjera të rëndësishme për zhvillimin e klubeve synojmë që:

– Të sigurojmë që të gjitha klubet e Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë të kenë një video-analist, një trajner fitnesi, një mjek dhe një trajner portierësh të licensuar deri në vitin 2025;

– Krijimi i një Biblioteke për Trajningun në FSHF deri në vitin 2023

– Mbajtja e të paktën 2 forumeve novatore në vit me universitetet, qendrat kërkimore dhe federatat e tjera sportive

Kompeticionet Kombëtare

Garat tona kombëtare janë një tjetër element i rëndësishëm i punës dhe i strategjisë tonë.

Pavarësisht se punojmë shumë të rrisim nivelin e cilësisë në garat tona, ne jemi krenarë që shkalla e konkurrencës ka mbetur e lartë, me kampionë të ndryshëm gjatë viteve të fundit. FSHF do të përpiqet ta ruajë dhe ta rrisë më tej shkallën e konkurrencës në nivel elitar duke përdorur mënyra të ndryshme, përfshirë një rishikim dhe arsyetime ne lidhje me numrin e klubeve që konkurrojnë në 3 kategoritë kryesore.

Objektivat tona kryesore të matshme për këtë periudhe 4-vjeçare janë si vijon:

– Zhvillimi dhe implementimi i një “Strategjie për mbështetjen e klubeve” deri në vitin 2023, për të qenë FSHF krahu i djathtë dhe një ndihmë shumë e madhe për përmirësimin e mëtejshëm të organizimit të klubeve tona.

– Të sigurojmë që të gjitha klubet nga 3 kategoritë e para të kenë një drejtor sportiv të licencuar nga UEFA në strukturën e tyre deri në vitin 2025;

– Nisja e Kupës Nënë Tereza 2022 me 100 ekipe në Shqipëri dhe Kosovë, një event shumë i rëndësishëm për kombin tone jo vetëm në nivel sportiv;

– Zhvillimi i plotë i ligës U-21 dhe Kategorisë së Parë deri ne vitin 2024;

– Finalizimi i studimit të realizueshmërise së një lige rajonale deri në vitin 2023;

– Siç kemi tanimë “Abissnet Superiore”, do të sigurojmë një partner komercial për emërtimin e të gjitha kompeticioneve te tjera tonat deri në vitin 2023;

– Bashkëpunimi dhe lobim në qeveri për të marrë miratimin e propozimeve ligjore që ndihmojnë në mbarëvajtjen e klubeve

Ekipet Kombëtare

Krenaria e punës sonë gjithë këto vite janë pikërisht ekipet tona kombëtare.

Për dhjetëra mijëra lojtarë anembanë kombit tonë, është një ëndërr që të luajnë futboll me stemën e kombëtares shqiptare, pasi të jenë përzgjedhur për të përfaqësuar vendin, dhe ne ndihemi me fat që kemi mundësinë t’i kthejmë këto ëndrra në realitet.

Edhe pse fokusi kryesor i opinionit publik është tek ekipi kombëtar A, ne krenohemi shumë me të gjitha skuadrat tona kombëtare, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, nga moshat U-15 deri në U-21.

“Futbolli për kombin 2025” synon të hedhë hapa të tjerë përpara dhe të ndërtojë suksese të ardhshme në skenën ndërkombëtare për ekipet tona, duke pasur si pikënisje të shkëlqyer suksesin tonë të fundit në Ligën e Kombeve.

Detyra për zbulimin e talenteve e çon punën tonë përtej kufijve kombëtarë dhe ne jemi me fat që zotërojmë një sistem të gjerë dhe të konsoliduar skautësh, që mbulon pothuajse të gjithë Europën.

E lidhur ngushtë me këtë fushë do të jetë puna jonë në edukim dhe infrastrukturë. Ne aspirojmë të krijojmë një mjedis ku ekipet tona kombëtare mbështeten nga stafe me përvojë dhe të aftë në një sërë disiplinash, duke reflektuar një institucion të vlerave më të mira ndërkombëtare.

Objektiva tona në terma të suksesit sportiv për këtë 3-vjeçar janë:

– Ruajtja e statusit në Ligën B të UEFA Nations League përgjatë gjithë periudhës strategjike;

– E bëmë në 2016-n, jemi besimplotë se do arrijmë sërish te kualifikimi për në Kampionatin Europian 2024;

– Meshkuj U-21: Kualifikimi në Kampionatin Europian 2023/24

– Meshkuj U-19: Kualifikimi në raundin elitar të Euro nën 19 vjeç më 2023;

– Meshkuj U-17: Kualifikimi në raundin elitar të Euro nën 17 vjeç më 2023;

Në lidhje me Identifikimin dhe Zhvillimin e Talenteve, kemi objektivat e mëposhtme:

– Prezantimi dhe implementimi i strukturës së zbulimit të talenteve më të mira në çdo klasë shkollore deri në vitin 2022;

– Krijimi i planeve të personalizuara të performancës për të gjithë lojtarët e spikatur nga U-15 deri tek U-21;

– Integrimi i plotë i shkencave sportive të cilësisë më të lartë dhe teknologjisë më të fundit te të gjitha ekipet kombëtare deri më 2025;

– T’u sigurojmë të paktën një mundësi prove në ekipet kombëtare lojtarëve të shkollave në nivelin U-15, U-17 dhe U-19 çdo vit gjatë periudhës strategjike;

– Të sigurojmë që çdo etapë e performancës të përfshijë planin e përshtatshëm psikologjik, ushqimor dhe fizik për lojtarët tanë;

– Implementimi i plotë i një programi kombëtar për zbulimin e vajzave të talentuara, i ngjashëm me programin aktual të meshkujve deri në vitin 2023;

– Formimi i një ekipi kombëtar për femra U-15 deri në vitin 2023;

Infrastruktura

Infrastruktura është themeli i një sporti të suksesshëm. Pa fusha, pa terrene, pa stadiume, nuk ka futboll, nuk ka cilësi e nuk ka të ardhme.

Megjithatë, gjatë viteve të fundit, ne kemi qenë dëshmitarë të një transformimi në infrastrukturën sportive në të gjithë Shqipërinë, ku FSHF ka qenë nismëtare dhe investitori më i madh në këtë drejtim.

Investimet në vitet e fundit kanë ndihmuar të dokumentojmë përkushtimin tonë për rritjen e futbollit dhe cilësisë së performancës në nivel ndërkombëtar nëpërmjet disa objekteve sportive të nivelit europian.

Në nëntor 2019 përfundoi stadium kombëtar “Air Albania” me kapacitet prej 22 000 vendesh, i ndjekur nga zhvillimet te “Qendra Stërvitore Kombëtare” dhe “Shtëpia e Futbollit”.

Mbështetja e ofruar nga qeveria në investimet e mëdha infrastrukturore, si rikonstruktimi i stadiumit “Loro Boriçi”, “Elbasan Arena” dhe së fundmi stadiumi i Kukësit, të gjitha nisma të përbashkëta me qeverinë, tregojnë se bashkëpunimi i frytshëm arrin të japë efektin e duhur.

Objektivat tona të matshëm për këtë periudhe 4-vjeçare po i listoj më poshtë, ndërkohë që objektivi ynë kryesor dhe i kësaj strategjie do të jetë ndërtimi i të paktën 100 fushave deri në vitin 2025. Për këtë nevojitet një mbështetje e madhe nga autoritetet lokale dhe ato qendrore.

– Ndërtimi i 100 fushave me bar natyral deri ne vitin 2025;

– Ndërtimi i 10 fushave stërvitore me bar artificial deri ne vitin 2025

– Vendosja e të paktën 1 bashkëpunimi strategjik në vit për infrastrukturën sportive

– Përfundimi i punimeve në “Shtëpinë e futbollit” deri në vitin 2023

– Qendra sportive në Kamëz, duke përfshirë një kompleks akomodimi, 2 fusha shtesë me bar dhe 2 tribuna me një kapacitet prej 500 vendesh për t’u përdorur nga ekipet kombëtare të të gjitha moshave

– Të rrisim prezencën tonë si organizatë në Qendrën Kombëtare Teknike (Shtëpia e futbollit), që kjo të bëhet e njohur në rang kombëtar si një vend për edukim dhe zhvillim në FSHF;

– Ndërtimi i të paktën 10 fushave me bar artificial për Abissnet Superiore deri më 2024 dhe investime në ndriçimin dhe pjesën teknike të stadiumeve brenda vitit 2023;

Futbolli i Femrave

Futbolli i femrave, një nga pikat dhe fushat ku ne jemi shume krenar për punën tonë, dhe ku jemi vite drite përpara dhe nga shumë vende të tjera të zhvilluara.

Rritja e futbollit të femrave ka qenë në fokusin e FSHF-së prej më shumë se 10 vjetësh. Nëpërmjet këtij investimi dhe përkushtimi të madh, futbolli i femrave në Shqipëri ka evoluar jashtëzakonisht shumë, duke ndryshuar pozitivisht perceptimin e publikut të gjerë.

Strategjia jonë e re kombëtare e futbollit për femra që do të prezantohet shumë shpejt, do të përbëhet nga disa shtylla strategjike, dhe do ketë si objektiv:

– Rritjen e futbollit të femrave, duke shmangur pritshmëritë dhe krahasimet që lidhen me futbollin e meshkujve

– Sigurimin e mbështetjes së një game të gjerë partnerësh të interesuar për një infrastrukturë të cilësisë së lartë për futbollin e femrave

– Kualifikimi i stafeve që punojnë me futbollin e femrave për të ofruar mjedise loje dhe stërvitjeje të cilësisë më të lartë

– Gjenerimi i të ardhurave të mëtejshme përmes partneriteteve të rëndësishme dhe marrëdhënieve me aktorë të tjerë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për futbollin e femrave

Në nivel objektivash dhe angazhimesh të matshme për futbollin e femrave, në vijim po listojmë disa:

– Lançimi i një strategjie të re kombëtare për futbollin e femrave deri në pranverë 2023

– Dyfishimi i numrit të femrave që luajnë futboll dhe regjistrimi i së paku 4000 futbollisteve femra deri në vitin 2025;

– Krijimi i 100 ekipeve të futbollit për femra U-15 – U-17 deri në vitin 2025 dhe vendosja e lidhjeve strukturore me klubet lokale;

– Krijimi i 60 ekipeve rajonale amatore për vajza të moshës U-13 deri në vitin 2025

-Çdo ekip femrash në Shqipëri të ketë të paktën një trajnere femër deri në vitin 2025

– Të ofrojmë kurse të trajnimit dhe formimit zyrtar edhe brenda institucioneve arsimore, si për shembull në universitete, shkolla të mesme, etj.

– Deri në vitin 2023 të sigurojmë që i gjithë arsimimi i trajnereve të femrave të jetë falas për kandidatet dhe të përmirësojmë aksesin në këto mundësi kualifikimi përmes ofrimit të kurseve verore

Aspekte të tjera të imazhit dhe marketingut, të nevojshme dhe shume të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të femrave të cilat ne do te fokusohemi janë edhe:

– Të thyejmë barrierat kulturore përmes realizimit të 2 fushatave marketingu në vit për futbollin për femra në të gjitha kanalet e komunikimit;

– Të sigurojmë deri në fund te vitit 2022 që çdo javë të transmetohet drejtpërdrejt të paktën 1 ndeshje e kampionatit elitë të femrave;

– Të arrijmë një marrëveshjeje transmetimi në nivel kombëtar për të gjitha kombëtaret e femrave dhe Kupën e Shqipërisë deri në vitin 2023;

– Implementimi i plotë i një programi kombëtar për zbulimin e talenteve femra, i ngjashëm me programin aktual të meshkujve deri në vitin 2023;

– Krijimi i një ekipi kombëtar për femra U-15 deri në vitin 2023;

– Të zgjidhet të paktën 1 femër në Komitetin Ekzekutiv të FSHF-së deri në vitin 2025;

Good Governance ose Qeverisja e mire

FSHF dhe futbolli shqiptar nuk do ishin këtu ku janë sot, në qoftë se nuk do kishte pasur një rritje kaq të rëndësishme të nivelit të institucionit, dhe të mirëqeverisjes së tij. Gjithë projektet tona, gjithë nismat tona, gjithë organizimi ynë është vlerësuar më shumë sesa një herë nga UEFA dhe FIFA, dhe për këtë arsye na kanë besuar organizimin e dhjetëra aktiviteteve të rëndësishme dhe së fundmi të një finaleje shumë të rëndësishme siç është ajo e UEFA Conference League.

Gjithashtu gjatë këtyre viteve kemi organizuar shume turne ndërkombëtar dhe evente të tilla si UEFA CFM, një event shume i rëndësishëm në edukimin e njerëzve që merren me sport.

Dhe kryesorja, na kane besuar në projektet tona, me të ardhurat dhe grantet nga ana e tyre, që kanë ardhur gjithmonë e ne rritje.

Ne jemi të vetëdijshëm se ofrimi i mundësive dhe i një mjedisi më të mirë për futbollin varet nga integriteti dhe efikasiteti i FSHF-së si organizatë.

Qeverisja e mirë siguron themelet e duhura për misionin tonë për futbollin.

Sigurimi i kapaciteteve dhe i përvojës së duhur për pozicionet kyçe, apo edhe angazhimi i rregullt me një sërë partnerësh kombëtar e ndërkombëtar për të dëgjuar zërin e vërtetë të futbollit shqiptar, janë disa shembuj praktikash të mira që ne shpresojmë t’i rrënjosim në të gjitha nivelet e lojës.

Nëpërmjet zbatimit të kësaj qasjeje, ne e dimë se mund të arrijmë në nivele më të larta efikasiteti dhe eksperience për ta çuar futbollin shqiptar në një tjetër nivel.

Disa nga objektivat që do t’i arrijmë në këtë periudhe 4-vjeçare:

– Duke u bazuar te 10 parimet e qeverisjes së UEFA-s, të nisim dhe të implementojmë një strategji të FSHF-së për qeverisjen e mirë deri më 2023;

– Të rishikojmë strukturën e komiteteve që ekzistojnë në FSHF për të pasur diversitet dhe barazi. Në këtë kuadër, do të krijohen minimumi 3 komitete për të rritur futbollin deri më 2023

– Të krijojmë platforma digjitale dhe kanale komunikimi si mekanizma për të përfshirë dhe kualifikuar stafin e FSHF-së dhe të gjitha grupet e interesit në futbollin shqiptar;

– Të mbështesim pajisjen e 25 individëve të FSHF-së me Certifikatën në Menaxhim Futbolli deri në vitin 2025;

Të sigurojmë që i gjithë stafi i FSHF-së të ndërmarrë të paktën 1 përvojë trajnimi dhe kualifikimi ndërkombëtar çdo vit;

– Të përdorim teknologjinë përkatëse për të bërë të mundur që FSHF të përfaqësojë një organizatë me performancë të lartë dhe që udhëhiqet nga novacionet më të fundit;

Marrëdhëniet me publikun

Çdo ditë, mijëra fëmijë e të rritur në të gjithë Shqipërinë luajnë, shikojnë ose diskutojnë për futbollin dhe FSHF ka dhe do të ketë një rol kyç në mbështetjen e cilësisë së këtij angazhimi nëpërmjet promovimit të te gjitha eventeve dhe shpërndarjes së informacionit.

Është detyra jonë të ofrojmë dhe të promovojmë mundësi për angazhim dhe diskutim, në mënyrë që futbolli të vazhdojë të jetë sporti numër 1 në Shqipëri.

Puna me partnerët më në zë të medias dhe individë të afërt në të gjithë rrjetin e futbollit do të jetë thelbësore për të siguruar që zëri ynë të dëgjohet.

Disa nga objektivat qe do i arrijmë në këtë periudhe 4-vjeçare në këtë drejtim:

– Të përdorim të gjitha kanalet e komunikimit fizik dhe digjital për të thyer barrierat që pengojnë pjesëmarrjen, veçanërisht për vajzat e reja

– Të rrisim me 10% numrin e vajzave të reja që dëshirojnë ta ushtrojnë këtë sport

– Të hartojmë çdo vit raporte të ndikimit duke përdorur raste studimore dhe histori personale për të dëshmuar ndikimin social të FSHF-së për kontributin e saj si në shëndetin fizik, ashtu edhe në atë mendor;

– Të lançojmë një strategji për edukimin e prindërve deri në vitin 2023;

– Të lançojmë një kalendar për ngjarjet e futbollit shqiptar deri në vitin 2022;

– Të organizojmë 5 kurse komunikimi në vit për individët në klubet profesioniste;

– Të organizojmë 5 fushata edukative dhe ndërgjegjësimi social në vit;

Përgjegjësia sociale

FSHF dhe roli i saj shkon përtej futbollit, ne kemi qenë dhe do të jemi gjithmonë një katalizator me një impakt shumë të madh në gjithë shoqërinë kombëtare.

Aktivitetet e përditshme të FSHF-së shkojnë përtej mbështetjes së ekipeve kombëtare dhe i gjithë stafi krenohet me rolin e tyre gjithëpërfshirës dhe aftësinë për të ndikuar pozitivisht në shoqëri nëpërmjet fuqisë së futbollit, edhe se si kjo po ndikon pozitivisht në jetën e njerëzve në gjithë Shqipërinë.

Gjatë këtyre 4 viteve, ne do të vazhdojmë punën e nisur dhe do të arrijmë të:

– Të bashkëpunojmë me institucionet kryesore dhe politikëbërësit në të gjithë Shqipërinë për të pozicionuar FSHF-në si një organizatë lider që mbështet zhvillimin e vendit, duke vlerësuar klubet e FSHF-së si aktorë kryesorë që mund të ndihmojnë në formimin dhe zbatimin e objektivave në nivel komunitar;

– Të nisim Fondacionin FSHF deri në vitin 2023 për të prezantuar dhe promovuar punën bamirëse dhe ndikimin tonë në të gjithë vendin;

– Të hapim Shkollën e Futbollit FSHF deri në vitin 2023 për të lidhur arsimin dhe përvojën e futbollit për talentet tona të së nesërmes dhe për ata fëmijë që duan të specializohen në futboll;

– Të hartojmë çdo vit një raport ndikimi për realizimin e strategjisë sonë të komunikimit dhe për ndikimin e saj në rritjen e futbollit shqiptar;

– Të zhvillojmë dhe të zbatojmë një fushatë marketingu specifike për shkollën me rezultate me karakter social, për të mbështetur punën e shkollës sonë deri në vitin 2022;

– Të realizojmë të paktën 1 projekt social në vit nga viti 2022;

– Të organizojmë një konferencë vjetore të vullnetarëve të FSHF-së nga viti 2022;

Sa më sipër shpjeguam 9 shtyllat kryesore dhe objektivat e aksionet përkatëse të strategjisë “Futbolli për Kombin 2022-2025”, ndërkohë qe FSHF ka filluar me iniciativat madhore për të bërë të mundur implementin e kësaj strategjie.

Një nga nismat kryesore është projekti “Uniforma Ime”, me anë të cilit FSHF do t’i ofrojë gjithë setin e bazës materiale falas çdo fëmije që luan futboll në gjithë Shqipërinë. Pra, që nga Akademia e Partizanit apo Tiranës, deri te klube të fëmijëve në Shkodër apo Sarandë do të marrin tanimë falas gjithë setin e uniformave, duke ulur kështu ndjeshëm barrën e familjeve të tyre, por dhe duke i dhënë mundësi të gjithëve dhe duke rritur kështu cilësinë e futbollit. Jemi aktualisht duke finalizuar kontratën me detajet e fundit, dhe shumë shpejt do nis procesi i marrjes së të gjithë kërkesave nga çdo klub, e më tej furnizimi perkatës. Buxheti i parashikuar për këtë nisëm është rreth 1 mln euro çdo vit, dhe do mbulohet nga të ardhurat e Federatës Shqiptare të Futbollit. Aktualisht FSHF i ofron çdo trajneri dhe çdo klubi topat e lojës falas prej disa vitesh, ndërkohë që me furnizimin falas të uniformave, FSHF do të bëhet pjesë e çdo familje dhe e çdo fëmije.

Projekti i dytë i rëndësishëm që do të ndihmojë në rritjen e numrit të fëmijëve që luajnë futboll dhe të rritjes së nivelit të futbollit në Shqipëri, lidhet me fuqizimin e shoqatave rajonale, duke ju dhënë gjithë pavarësinë operacionale dhe financiare.

Në asambletë e zhvilluara nga gjithë shoqatat, u miratuan në mënyrë unanime të gjitha buxhetet e shoqatave, me një buxhet total vjetor prej rreth 1.1 mln Euro që do financohet e gjitha nga FSHF. Me anë të këtij projekti parashikohet qe te gjitha garat, të gjitha operacionet, të ardhurat e gjithë pagesat të menaxhohen nga shoqatat përkatëse. Objektivi është që gjatë kësaj periudhe 4-vjeçare këto shoqata të bëjnë me tej drejtpërdrejtë edhe investimet në infrastrukture, apo dhe projekte të tjera madhore në rajonin perkatës. Në këtë mënyrë, objektivi ynë në është që në këtë periudhë strategjike të kthehen në Federata te mirëfillta rajonale.

Pika e tretë dhe ndër më të rëndësishmet për të cilat Federata ka nisur me shpejtësi punën për implementimin, është përmirësimi i infrastrukturës dhe ndërtimi i 100 fushave.

Me bashkitë e disa qyteteve dhe me klubet përkatëse, por dhe me individë dashamirës të sportit dhe ish-sportistë, kemi dakordësuar për ndërtimin e disa fushave, me planet përkatëse dhe kontratat përkatëse të finalizuar, dhe për një pjesë të mirë kanë nisur dhe punimet. Këto janë investimet e fundit dhe të freskëta të FSHF në infrastrukture, ndërkohë që gjatë vitit 2021 dhe vitet e mëparshme investimet tona në infrastrukturë në ndihmë të klubeve me fusha stërvitore, tapete, sistemi ndriçimi, e shumë elemente të tjera janë tanimë realitete të prekshme, për të cilat jemi krenar.

Të nderuar miq dhe anëtarë të komunitetit të futbollit,

Ju falënderoj përzemërsisht për mbështetjen që na keni dhënë përgjatë gjithë këtyre viteve.

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, stafit të saj të mrekullueshëm që ka punuar pandalim për të bërë të mundura gjithçka që kemi bërë realitet këto vite, dua t’ju garantoj se ne nuk do ndalemi në misionin tonë për ta kthyer futbollin në një forcë shtytëse për shoqërinë shqiptare.

Ne besojmë te puna, jemi të vetëdijshëm për kapacitetet tona dhe nuk kemi asnjë dyshim se duke dhënë më të mirën tonë ne të gjithë bashkë do të arrijmë të bëjmë të mundur edhe ato objektiva që për disa duken utopikë.

E kemi treguar, dhe do vazhdojmë ta tregojmë çdo ditë dhe çdo orë se duke punuar, se duke qëndruar të bashkuar përreth vlerave që përfaqëson sporti në përgjithësi dhe futbolli në veçanti, mund të shkojmë larg. Faleminderit!