Pogradeci humbi 1-2 me Orikun në play-out e Kategorisë së Parë, me liqenorët që sezonin që vjen do luajnë në Kategorinë e Dytë. Rrëzimi pas shumë vitesh nga e Para dhe sezoni “jo”, ka bërë që drejtuesit të marrin masa.

Trajneri Ardian Abazaj dhe stafi i tij janë shkarkuar, ndërsa do mbahet paga e majit për ta dhe lojtarët. Tanimë në Pogradec presin emërimin e trajnerit të ri, me këtë të fundit që do vendosë për rinovimin me lojtarë të caktuar ose jo.

Njoftimi:

“Ekipi i KS Pogradeci përmbylli me dështim sezonin sportiv 2021-2022 e për pasojë ndodhi ajo që askush nuk e dëshironte, ekipi ra në kategorinë e 2-të në të cilën do të luajë sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye ditën e djeshme nga Këshilli i Administrimit u vendos që të merren masa dhe penalitete për drejtuesit e ekipit dhe gjithë skuadrën.

U shkarkuan nga drejtimi i ekipit trajneri Ardian Abazaj dhe dy ndihmësat e tij Gentian Muska e Anesti Lipo, ata u penalizuan gjithashtu me masë për të mos u paguar për muajin Maj 2022. E gjithë skuadra e lojtarëve është penalizuar për këtë humbje gjithashtu dhe nuk do të paguhen për muajin Maj.Këto penalitete kanë qenë të parashikuara në kontratë me secilin prej tyre.

Të gjithë lojtarëve i’u përfundon kontrata me KS Pogradeci në fund të muajit Maj dhe do të jetë trajneri i ardhshëm ai që do të vendosë për rinovimin e kontratave me ta. Të gjithë ne, sportdashësit dhe qyteti jemi të zhgënjyer nga performanca e skuadrës ashtu siç tashmë kemi nisur nga puna për ringritjen fuqishëm të ekipit dhe rikthimin e tij shumë shpejt sërish në kategori të I-rë e më pas në superiore”, njofton Bashkia Pogradec.