Fundjava që sapo u mbyll në futbollin tonë në Kategorinë Superiore dhe atë të Parë ka parë si protagonistë futbollistët shkodranë. Kështu për Teuten në barazimin 1-1 kundër Kastriotit shënoi Ildi Gruda. Sulmuesi i shpejtë gjeti rrugën e rrjetës në qytetin e tij dhe në stadiumin “Loro Boriçi”. Ky gol ndihmoi durrsakët që të merrnin 1 pikë kundër krutanëve.
Një kampionat interesant po zhvillohet edhe në Kategorinë e Parë ku skuadrat po shfaqin një futboll konkurrues. Një nga ekipet pretendente për tu ngjitur në Superligë është Erzeni, që fitoi në shifrat 0-2 kundër Tërbunit. Golin e parë të ndeshjes e shënoi sulmuesi shkodran, Jasmin Rraboshta.
Gol nga një sulmues tjetër shkodran kishte edhe në ndeshjen Besëlidhja – Vora. Lezhjanët arritën fitoren e parë në kampionat me rezultatin 2-0 ku golin e parë e shënoi shtatlarti Angjelo Radovani. Goli i parë ky për sulmuesin e ri të dalë nga akademia Vllaznia.
Po ashtu në fitoren 1-2 të Burrelit kundër Turbinës , golin e parë për skuadrën matjane të drejtuar nga Sajmir Patushi e shënoi Kledi Dibra. Një fundjavë pozitive kjo për futbollistët shkodranë që vijojnë të tregojnë vlerat e tyre në futbollin shqiptar.
Endri ÇINARI