Dy gafa të portierëve kanë shënjuar ndeshjen Real Madrid-Espanyol 4-1 . Fillimisht ka qenë Courtois, ai që ka pësuar një gol aksidental, duke e devijuar çuditshëm topin në rrjetën e tij, pastaj portieri mik, të cilit i ka shpëtuar topi nga duart dhe pastaj është dërguar në rrjetë nga Carvajal.
Fitore me përmbysje e “Los Blancos”, të cilët pas gjendjes në disavantazh kanë reaguar furishëm, duke dëshmuar potencialin e madh që kanë. Goli i dytë ka ardhur në minutën e 75-të me anë të Rodrygo, i asistuar nga Vinicius Junior.
Pa vonuar shumë, në minutën e 78-të, madrilenët kanë shënuar edhe golin e tretë, me anë të Vinicius, i asistuar nga Mbappe. Në listën e shënuesve nuk mund të mungonte as ylli francez, që ka kthyer në gol penalltinë e diskutueshme të akorduar në minutën e 88-të.
Duhet përmendur fakti se në “Bernabeu” ka luajtur me kohë të plotë edhe mbrojtësi ynë kuqezi, Marash Kumbulla, në qendër të mbrojtjes së Espanyol. Pas këtij suksesi, skuadra e Carlo Ancelottit ngjitet në vendin e dytë të La liga-s, me 12 pikë, tre të tilla më pak se Barcelona kryesuese. Kjo e fundit pret ta luajë ndeshjen e javës së 6-të, ndaj mund të shtojë më shumë pikë në llogarinë e vet.