Ardian Ismajli ishte protagonist i pafat i ndeshjes mes Parmës dhe Torinos në pasditen e të hënës. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, la fushën e lojës i dëmtuar në pjesën e dytë të takimit, por më parë, për një prekje të topit me dorë prej tij, u akordua penalltia që i dha avantazhin ekipit të Parmës.
Një vendim të cilin kryesori Kollu e dha pasi shqyrtoi pamjet me VAR. Por sipas gazetarit të njohur sportiv italian, Mauricio Pistoki, këtu bëhet fjalë për një vendim të gabuar pasi Ismajli nuk duhej të penalizohej për atë prekje.
“Në Parma-Torino, në minutën e 30 ka një goditje dënimi të Valerit nga e majta, Del Prato kërcen dhe devijon pak topin që përfundon në krahun e Ismajlit. Shembulli tipik i një topi të papritur dhe krahut të djathtë të Ismajlit që kërcen në pozicion të përshtatshëm me lëvizjen.
Por gjyqtari i VAR, Maxhoni, thërret Kollu dhe gjyqtari dekreton penallti. Këta gjyqtarë nuk njohin as dinamikën e trupit njerëzor, as rregulloren, kështu po manipulohen ndeshjet”, ishte akuza e rëndë e gazetarit sportiv italian.