Trajneri Pep Guardiola ka hedhur një thumb ironik drejt Mikel Artetas dhe Arne Slotit, duke sugjeruar se shpenzimet e Manchester Cityt krahasohen padrejtësisht me ato të rivalëve.
City do të ketë një sfidë të vështirë në vikend, ndaj Arsenalit – skuadër që po kalon formë fantastike këtë sezon. Para sfidës kundër ish-asistentit të tij në Ligën Premier, Guardiola u shpreh:
“Vetëm dua t’i them mikut tim Mikel Arteta: Nëse ai fiton titullin, do të jetë thjesht sepse ka shpenzuar, jo sepse ka punuar shumë apo për shkak të lojtarëve të tij”.
“Është njësoj edhe me Liverpoolin. Nëse Slot fiton përsëri, do të jetë sepse ka shpenzuar shumë para, apo jo? Pra, nuk ka ndodhur vetëm me Man City”.
“E gjitha që mund të them është se ata kanë qenë të mençur. Kanë shpenzuar aq sa kanë menduar se duhet për të konkurruar me ekipet më të forta në Ligën Premier dhe Evropë dhe kanë arritur në atë nivel. Arsenal po përmirësohet hap pas hapi, merkato pas merkatoje dhe tani për mua janë ekipi më solid. Nuk bëjnë gabime në prapavijë”.
Kujtojmë se as Liverpool e as Arsenal nuk janë përballur me akuza për shkelje financiare vitet e fundit, ndërsa City vazhdon të ketë mbi shpinë 115 akuza nga Liga Premier për shkelje të rregullave të shpenzimeve mes viteve 2009 dhe 2018./Telegrafi/