Shqipëria do të luajë të premten në Bjelloru si përballë një rivali ndaj të cilit numërojnë vetëm një fitore. Më 26 mars 2011 ishte ish-bomberi, Hamdi Salihi, që u dha 3 pikë kuqezinjve përballë këtij rivali të radhës, i pari në edicionin kualifikues të Ligës së Kombeve. Në pesë takimet e luajtura, një barazim është regjistruar në miqësore dhe një tjetër në kualifikuese zyrtare.
Gjithashtu, edhe dy humbje në ndeshjet zyrtare. Hamdi Salihi, sot në stafin e Rejas, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” tregon se çfarë e pret Kombëtaren më 4 mars, vështirësitë që do të ketë në këtë takim si dhe jep këshillat e arta për sulmuesit se çfarë duhet të bëjnë për të shënuar. Ish-bomberi bën edhe një urim në lidhje me fitoren që ka ardhur prej tij përballë bjellorusëve.
Salihi, më në fund një grumbullim me ekipin kombëtar. Si ka qenë periudha e pandemisë për të ndjekur dhe komunikuar me futbollistët?
Njësoj si për të gjithë botën, edhe për ne ishte hera e parë që përballeshim me diçka të tillë. Megjithatë, jemi munduar që të përshtatemi dhe të punojmë edhe me këto kushtet e reja. Kemi mbajtur komunikim ‘online’ gjatë gjithë kohës si me njëri-tjetrin, ne pjesëtarët e stafit, por edhe me lojtarët.
Si kanë ardhur lojtarët këtë herë në grumbullim dhe a vihet re frika prej situatës në raport me radhët e mëparshme?
Realisht, edhe për lojtarët nuk ka qenë e lehtë këtë herë. Përveç faktit që shumë prej tyre akoma nuk i kanë filluar kampionatet me ekipet e tyre, edhe ana psikologjike nga frika prej virusit është tepër e ngarkuar. Është për t’u vlerësuar gatishmëria e treguar prej tyre për ekipin kombëtar edhe në këtë situatë që jemi.
Tani që po nis një edicion i ri, në përshtypjet tuaja, a është ky grup lojtarësh më premtuesi që kemi pasur ndonjëherë, të paktën që nga “Euro 2016”?
Është e vërtetë që grupi aktual është shumë i mirë. Madje mosha e tyre është shumë premtuese. Mirëpo, a është apo jo më i mirë, këtë përgjigje të pyetjes tuaj, ata duhet ta japin dhe duhet ta tregojnë në fushën e lojës.
Çfarë e pret Shqipërinë në Bjellorusi dhe këtu ndaj Lituanisë? Tani me syrin e një trajneri, çfarë dini për këta kundërshtarë dhe çfarë duhet pasur kujdes?
Problemi kryesor që do të kemi këtë herë ndaj kundërshtarëve, është përgatitja fizike e tyre dhe gjendja e ndryshme e lojtarëve nga ekipet prej nga vijnë. Thënë ndryshe, për kundërshtarin tonë, lojtarët e tij kanë disa javë që kanë nisur kampionatin. Nga kjo anë, janë shumë të angazhuar.
Kaq pesimizëm në prag të startit?
Aspak! Unë besoj se ne i kemi të gjitha mundësitë që ta kalojmë këtë situatë me sukses dhe të marrim më të mirën prej këtyre dy ndeshjeve.
Ndaj Bjellorusisë kemi një fitore me golin tuaj. E kujtoni se si ka qenë ajo ndeshje?
E kujtoj shumë mirë atë ndeshje dhe golin që kam shënuar. Për mua ajo është një nga ndeshjet më të mira që ka zhvilluar Shqipëria në vitet e fundit. Uroj që ta përsërisim këtë herë…
Sulmi po forcohet dhe po rritet konkurrenca. Në syrin e një specialisti si ju, çfarë kontingjenti kemi në dispozicion?
Kemi një situatë shumë të mirë sa u përket zgjedhjeve në sulm. Lojtarët me eksperiencë janë në kulmin e pjekurisë së tyre dhe po kalojnë një fazë shumë të mirë me skuadrat ku ndodhen. Por, në të njëjtën kohë, kemi edhe lojtarët e rinj që janë shumë premtues dhe uroj që sa më shpejt të integrohen në ekip dhe të bëhen të rëndësishëm për Kombëtaren, pavarësisht moshës që kanë.
A është realisht mundësia që Shqipëria të dalë kokë grupi?
Sipas meje, me kontingjentin që kemi, për më tepër duke parë edhe harmoninë që ekipi ka krijuar, i kemi të gjitha mundësitë për këtë.
Sulmuesit presin këshillat tuaja. Si i shënohet Bjellorusisë?
Sulmuesit, ashtu si e gjithë pjesa tjetër e ekipit, duhet të sakrifikojnë shumë për pjesën tjetër të grupit. Për më tepër, duhet të jenë shumë të vëmendshëm për çdo rast që do të krijohet, sepse kundër ekipeve të tilla që janë shumë të disiplinuara, momentet e veçanta e vendosin rezultatin.
Nuk është se të jepet mundësia të krijohen shumë raste gjatë një ndeshjeje. Këshilla kryesore është që duhet të jenë në maksimum të vëmendshëm për të shfrytëzuar sa më mirë ato raste që krijohen.