Futbolli në Shkodër ka nxjerrë shumë emra të mëdhenj në vite. Në role dhe pozicione të ndryshme. Padyshim që ata kanë lënë gjurmë me lojën që kanë zhvilluar dhe kontributin që kanë dhënë në fitoren e trofeve por edhe lartësimin e emrit të Vllaznisë. Njëri prej tyre ka qenë Hysen Zmijani.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ka ditëlindjen, feston 58 vjetorin e tij te lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron Hysen Zmijanit edhe 100 vite të tjera të lumtura! Konsiderohet nje nga mbrojtesit e djathte me te mire ne historine e futbollit shqiptar. Njekohesisht nga specialiste te ndryshem eshte vendosur si pjese e formacionit me te mire ne historine e tij.

Ka provuar të luajë me sukses edhe në Francë, Gjermani dhe Arabi. Pa lënë mënjanë kontributin e tij me kombëtaren Shpresa dhe kombëtaren e madhe.

Ai ka lindur në Shkodër më 29 prill të vitit 1963 dhe ka filluar herët të luajë futboll, sigurisht duke patur edhe një traditë familjare në këtë drejtim ngaqë axha i tij, Sadetini ka qenë kapiten i Vllaznisë në vitet ’60, një axhë tjetër në boks dhe djalin e axhës tjetër, Bahrinë, në çiklizëm.

Me këto pjestarë të familjes në sport, natyrisht që Hysa nuk mund të merrte rrugë tjetër përveçse t’i përkushtohej edhe ai kësaj fushe, madje duke u bërë shumë shpejt emri më i njohur i familjes “Zmijani”.

E ka filluar futbollin nëpër rrugicat e qytetit, por me shumë pasion. Ishte nxënës në shkollën “Skënderbej”, sot “10 Korriku”, një shkollë kjo e profilizuar për atletikë dhe në fakt ai bëri një “shkelje” duke u rregjistruar ndoshta edhe tinëz në futboll.

Pas dy vitesh që kishte filluar futbollin, ka qenë mësuesi i tij i fiskulturës Il Komi ai që e mori vesh për këtë gjë por nuk mundi ta hiqte më nga futbolli. Trajneri i parë i tij që në moshën 8 vjeç ka qenë Selami Dani, me të cilin ka punuar deri në moshën 14 vjeçare.Bashkë me të në ekip kanë qenë edhe Arvid Hoxha, Lad Bruçi e shumë të tjerë.

Por padyshim hapat më të rëndësishëm të karrierës së tij ka qenë kalimi tek ekipi i paratërinjve me trajner Xhelal Juka që e drejtuar për dy vite, në moshën 15-16 vjeç. Xhelal Juka ka qenë trajneri që i mësoi shumë gjëra rreth kësaj loje, ai që i krijoi besimin në vetvete se do ishte dikushi si futbollist

Tek ekipi i të rinjve për trajner Esat Rakiqin me të cilin ka punuar në moshën 17-18 vjeç. Pjesë e këtij ekipi kanë qenë futbollistë kryesisht të datëlindjes 1963, me Ardian Bushatin, me Ben Çakun, Gjon Koliqin etj.

Paraqitjet me këto ekipe e bënë atë që të spikaste dhe për këtë arsye, menjëherë është grumbulluar me ekipin e parë të Vllaznisë me trajner Medin Zhegën. Ai e mori në ekipin e parë dhe përjetoi momente të paharrueshme. Vetëm në ëndërr e kishte imagjinuar se do të luante me Vllazninë përballë mijëra tifozëve.

Në sezonin e tij të dytë me ekipin e parë të Vllaznisë arriti të shpallej kampion (viti 1983) dhe kuptohet që kjo ishte një mrekulli për Zmijani. Mendoi se mbërriti çdo gjë. Nuk ishte kollaj të shpalleshe kampion. Të rivalizoje me Partizanin që merrte lojtarët më të mira nga e gjithë Shqipëria dhe po ashtu edhe me Dinamon apo dhe 17 Nëntorin që po kalonin një moment të mirë në ato vite.

Suksesi me Shpresat

Hysen Zmijani është një nga pjestarët e kombëtares Shpresa me trajner Ramazan Rragamin që në vitin 1983 arriti një sukses historik: Kualifikimin në tetë më të mirat e Europës. Eliminuan Austrinë, RFGJ-në dhe Turqinë. Luajtën ndeshjen përcaktuese pikërisht në Shkodër. Fusha e stadiumit “Vojo Kushi” ishte skandal për nga gjendja e saj.

Anketat

Në vitin 1985 është shpallur fitues në anketën e “10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë”. Votimi bëhej çdo ditë në faqet e gazetës “Sporti Popullor” dhe votonin nga mbarë vendi teksa lexuesit e vlerësonin për atë se cfare paraqiste në fushën e lojës.

Kupa e Republikës

Në sezonin 1986-87, fillimisht u shpall fitues në anketën e “10 sportistëve më të mirë të Shkodrës” dhe më pas, në fund të atij sezoni, fitoi Kupën e Republikës. Vllaznia fitoi në finale ndaj Flamurtarit pas dy ndeshjesh dramatike, fitore 3-0 në Shkodër dhe humbje 1-3 në Vlorë.

Sërish fitues në anketë

Edhe në vitin 1988 është fitues në anketën e “10 sportistëve më të mirë të Shqipërisë” dhe kjo padyshim që ishte një arritje e madhe sepse siç dihet, gjithmonë më të favorizuar në kësilloj anketash janë sulmuesit por njerëzit besonin edhe tek mbrojtësi Zmijani

.

Kombëtarja dhe “Ajaccio”

Pas ndeshjes Francë- Shqipëri që u luajt në “Parc de Prince”, një gazetar vendas e kontaktoi dhe i propozoi të luante me ekipin “Ajaccio” të kategorisë së dytë. U kthye në Shqipëri, priti t’i vinte oferta zyrtare dhe më pas u largua duke u bërë futbollisti i parë shqiptar që firmoste me një klub të huaj me të gjitha rregullat si futbollist profesionist.

Në ekipin kombëtar është aktivizuar midis viteve 1984-1995. Me kuqezinjtë ka luajtur 36 ndeshje dhe ka shënuar dy gola. Nëse ekipi përfaqësues pati disa rezultate të mira, kjo nuk erdhi vetëm se në sulm shënonin Arben Minga, Agustin Kola, Ylli Shehu apo Sokol Kushta, por se në mbrojtje ishte njëherësh një lojtar mjaft efikas dhe me sharm si Hysen Zmijani. Më shumë se kualiteti, Zmijani ka qenë pozicional, ka luajtur shumë ndeshje me përfaqësuesen.

“Ajaccio” dhe Vllaznia

Në kontratën që bëri me “Ajaccio” kishte edhe një pikë ku shkruhej se Vllaznia ftohej të vinte në Korsikë për të zhvilluar një ndeshje miqësore. Pikërisht vizita e ekipit shkodran në Francë i dha mundësinë 10-12 futbollistëve për t’u larguar. Kjo në njëfarë mënyrë solli shpërbërjen e Vllaznisë por u krijoi mundësinë atyre që të shpërndahen nëpër vende të ndryshme të Europës ku krijuan edhe jetesën e tyre më pas.

Kalimi në Arabinë Saudite

Në sezonin 1993-94 ka kaluar tek ekipi “Al Naser” në Arabinë Saudite ku ka arritur suksesin më të madh të karrierës time. Trajneri që kisha tek Ajaccio kaloi në këtë vend dhe dëshironte ta kishte në skuadër. Dhe ka qenë një sezon shumë i suksesshëm sepse arritën të shpalleshim kampion të Arabisë.

“Al Naser” kishte plot 12 vite që nuk e fitonte titullin dhe për këtë arsye, në ndeshjen finale që u zhvillua në stadiumit e kryeqytetit të këtij vendi, në Riad, pikërisht në stadiumin “King Fahad”, që në atë periudhë ishte ndër stadiumet më të bukura në botë.

Edhe në sezonin 1994-95 u shpall përsëri kampion i Arabisë Saudite, një finale e cila u zhvillua në Jedah. Fitimi i titullit kampion për të dytin vit me rradhë ishte një sukses i madh edhe për të personalisht.

Kontrata në Bundesligë me St.Paulin

Në sezonin 1995-96 u kthye sërish në Europë, këtë herë duke u transferuar në Bundesligën gjermane, pikërisht tek St.Pauli. Ishte një eksperiencë e vonuar për të por me vlera shumë të mëdha.

Ishte pothuajse në fundin e karrierës së tij si profesionist por ndeshja e mirë që kishte zhvilluar me kombëtaren shqiptare ndaj Gjermanisë ku realizoi edhe një gol, duket se ka qenë shkaku për këtë kalimin tek kjo skuadër.

Trajneri i kombëtares gjermane Berti Vogst pas ndeshjes ishte shprehur se lojtari me numrin 2, që ishte Hysen Zmijani, na vuri shpeshherë në vështirësi. Kjo ishte shkëndija që trajneri i St.Paulit të insistonte për ta patur në ekip atë.

Rikthimi në Arabi

Në Gjermani luajti vetëm një sezon dhe një vit më vonë, pikërisht në sezonin 1996-97 është rikthyer të luajë sërish në Arabinë Saudite, por këtë herë jo me suksesin e parë.

Mbyllja e karrierës në Francë

Në vitet 1997 deri më 2006 u ktheu në Francë për t’u stabilizuar. Luajti si amator afërsisht dy vite, pastaj një vit tjetër filloi të punojë si trajner po me këtë ekip. Në vitin 2000 u tërhoq përfundimisht nga futbolli dhe pas një viti si trajner me ekipin e parë, filloi të drejtojë ekipet e moshave U-15 dhe U-17, punë që e bëri deri në vitin 2004 kur u largua përfundimisht nga sporti. Në Francë ka jetuar deri në vitin 2006 kur vendosi të rikthehet në Shqipëri.

Kthimi në Shqipëri

Ka patur shumë dëshirë të punojë si trajner, por me kalimin e viteve kjo dëshirë u zbeh megjithatë është gjithnjë pranë sportit. Me kompleksin sportiv që ka ngritur në dalje të qytetit të Shkodrës, por edhe me detyrën e shefit të Zyrës Rajonale të FSHF-së në Shkodër.
Gjergj KOLA