Nga Maringlen ZHIVANI

Tut Rrahmani, kryetifozi dhe një nga figurat më të njohura dhe të rrespektuara të tifozërisë shkodrane, ka reaguar me tone të forta pas një takimi të zhvilluar së fundmi mes Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe disa tifozëve në lidhje me çështjen e stadiumit “Loro Boriçi”, që çoi në përplasje me klubin.

I njohur si një nga tifozët më besnikë të Vllaznisë, që nuk e ka braktisur kurrë ekipin, as në vitet më të vështira, Rrahmani është konsideruar për dekada si zëri dhe fytyra e tifozërisë kuqeblu. Në një koment në rrjetet sociale, ai shpreh zhgënjimin dhe indinjatën për mënyrën se si po trajtohet çështja e stadiumit, por mbi të gjitha për përfaqësimin e tifozëve në këtë proces. Ai nënvizon se takime të tilla po zhvillohen me persona, të cilët nuk përfaqësojnë realisht zërin e tribunës.

“More a dihet se përse kanë shku e për çfarë asht diskutu. Prandaj jemi këtu ku jemi, në prag të turpërimit. Grupe e analista pa lidhje shkojnë e bajnë takime në emër të tifozave kuq e blu. Turp”,-shkruan Rrahmani.

Ky reagim ka marrë jehonë të menjëhershme në rrjetet sociale, ku shumë tifozë të tjerë kanë ndarë të njëjtin qëndrim me ikonën e tribunës. Rrahmani nuk është thjesht një tifoz, por ai është një simbol i dashurisë pa kusht për Vllazninë, një figurë që ka jetuar çdo fitore dhe çdo dështim me zemrën në dorë, në shi, borë apo edhe në krizë.