Nëse flasim për historinë e sportit të notit në Shkodër kuptohet që nuk mund të anashkalosh kurrsesi një emër që në
vitet ’80 ka qenë ndër më të spikaturit. Për të mos thënë më i spikaturi. Bëhet fjalë për Ilir Ymerin, njeriun që fitoi shumë tituj kampion dhe vendosi rreth 80 rekorde kombëtare.

I datëlindjes 24 prill 1970, ky është një sportist i cili brenda një periudhë shumë të shkurtër arriti të bëjë gjëra të mëdha. Ndërkohë, prej shumë vitesh jeton në Greqi ndërkohë që vitet e fundit i është rikthyer sërish pasionit të tij të madh të jetës- notit, teksa po garon me veteranët por me shumë të ngjarë shumë shpejt do të nisë punë edhe si trajner.

Ish- kampioni dhe rekordmeni i notit ka pranuar të flasë në një intervistë për “Shkodra Sport” teksa ka rrëfyer emocionet e karrierës së tij dhe njëkohësisht ka folur edhe për aktualitetin. Ndiqeni më poshtë intervistën e zhvilluar me të:

– Ilir, për shumë vite me rradhë keni përfaqësuar me dinjitet Vllazninë në të gjitha garat e notit që janë zhvilluar në Shqipëri. Çfarë kanë qenë për ty ato vite?

– Vite shumë të bukura dhe kuptohet që jam shumë i lumtur që kam përfaqësuar Vllazninë dhe jo vetëm atë si ekip por edhe spektatorët, ose titozët shkodranë. Nuk ka qenë e lehtë për të qenë në nivele të tilla sepse siç dihet, shkodranët janë rritur me notin dhe jo më kot, kanë pasë atë shprehjen “më parë një shkodran mëson notin se sa me folë”.

Kanë qenë vite shumë të bukura dhe jo më kot i kam ende në mendje sepse kam patur shansin e madh me njoftë shumë sportistë të talentuar të atyre viteve në të gjitha sportet kur takoheshim të tanë bashkë tek klubi Vllaznia.

– Kur ke hyrë në garë për të përfaqësuar Vllazninë, ishte një detyre e rëndësishme për ta kryer sa më mirë atë?

– Dikur kena pas ba garë, ose kena pa luftu vetëm për fanelën. Ka ken një meritë ose një gëzim i madh mu ndigju emri i vllaznisë si fituese dhe prandaj gjithmonë jam mundu me dhanë ma të mirën për të.


– Shumë tituj kampionë dhe rekorde të thyera nga ana juaj. I lumtur për atë çfarë keni arrit?

– Jam shumë i kënaqur për çfarë kam arritë. Siç mund të jeni në dijeni, rekordi im ka pase jetën e gjatë plot 34 vjet. Nuk ka pas asnjë rekord tjetër shqiptar me kaq shumë jetëgjatësi se sa rekordi im. Po ashtu, kam edhe rekord tjetër qysh në Spartakiadën e 6-të Kombëtare që është ende në fuqi, rekordi i stafetës së katër- notimit.

– Kur është vendos ky rekord dhe në çfarë gare?

– Ai është vendosur në Spartakiadën e 6-të Kombëtare, në vitin 1989. Quhet stafeta e katernotimit 4×100 dhe në këtë stafetë Vllaznia është përfaqësuar nga unë, Sadi Anadolli, Medi Muriqi dhe Ardian Vadahi. Kemi zhvilluar një garë fanastike duke vendosur atë rekord që ekziston edhe sot pas 31 vitesh.

– Keni ndonjë dedikim për dikë që dëshironi të falenderoni sot për të gjithë këto sukseset që keni arritur?

– Po, kam disa falenderime. Dua ta nis nga një person të cilin nuk e ka përmendur askush deri më sot. E kam fjalën për Fatmir Halili, trajnerin e pionerëve, i cili më zgjodhi si notar shpinist. Një trajner i shkëlqyer që ka qenë edhe me kombëtaren e Shqipërisë në vitet ’70.

Pastaj dua të përmend profesor Franc Nogën, një ndër trajnerët më të mirë me të rinjtë, derisa pastaj kalova me të rriturit ku kam punuar fillimisht me Halim Zaganjorin e pastaj me Ridvan Gjeçajn dhe në fund, për disa kohë me Gjon Shytin. Një trajner ky që sot po jep kontributin e tij në Turqi dhe është bërë një trajner i famshëm për këtë kohë.

– Vitin e kaluar u vlerësuat si një notarët më të mirë të shekullit për SK Vllazninë. Privilegj dhe kënaqësi të rradhitesh mes më të mirëve në 100 vjet?

– Po, ishte një nder i madh për mua. Faleminderit të gjithë atyre që më respektuan, ashtu siç i kam respektuar unë dikur me rezultatet e mia. Besoj se kam patur një karrierë të mirë, duke filluar me rekorde e tituj kampionë që me të rinjtë, në pishina 25 dhe 50 metërshehe dhe e njëjta gjë edhe me të rriturit. Të thyesh 80 rekorde kombëtare besoj se është një tregues që flet vetë për karrierën time.

– Karriera juaj tek Vllaznia u mbyll shpejt, apo jo?

– Po, kam qenë vetëm 21 vjeç kur u largova nga Shkodra dhe Shqipëria duke u vendosur në Greqi, aty ku jetoj edhe sot e kësaj dite. Në vitin 1991 u zhvilluan Lojërat e Mesdheut në këtë vend dhe isha pjesmarrës edhe unë. Zura vendin e 16-të ndër 32 garues. Në pamje të parë një rezultat jo i mirë, por duhet të dini se shqiptarët në ato vite shkonin në gara jo si njerëz, por si “bagëti”.

Rrugës na u prish autobuzi dhe na çuan atje me “Tatra” kromi dhe pas shumë sakrificash mbërritëm në Athinë në mëngjes, ndërkohë që pas dy orësh kisha garë. Isha i këputur, pa fjetë asnjë minutë dhe nuk kisha fuqi të mbaroja garën e 100 metrave. Madje, mbaj mend që në 50 metrat e para isha i pari me diferencë me kundërshtarët, por sa bëra kthesën, mbaruan forcat dhe për rrjedhojë u rendita jo mirë. Kjo më bëri shumë nervoz dhe prandaj vendosa ta lë përfundimisht notin.

– A mund të na tregoni me çfarë merreni sot?

– Ndoshta nuk e besoni, por ka disa muaj që i jam rikthyer sërish pasionit tim të madh, notit, pas plot 29 vitesh. Që prej nëntorit të vitit të kaluar, stërvitem rregullisht me ekipin e “Panathinaikos”. Para dy javësh madje kam zhvilluar garat e para me veteranët dhe zura vendin e dytë në Greqi për moshën time dhe në total për të gjitha moshat, jam renditur i katërti në 50 metra, i dyti në 100 metra dhe në total i shtati.

– Meqë i jeni rikthyer sërish notit, do të punoni edhe si trajner?

– Dëshira është të punoj si trajner, por në fakt për ta bërë këtë gjë duhet të marrë së pari liçensën. Ajo duhet nxjerrë tek Ministria e Sportit dhe më pas, mund të vazhdoj. E rëndësishme është që po përjetoj sërish emocione me pasionin tim të madh të jetës, notin dhe për këtë jam i lumtur.

– Ilir, faleminderit për intervistën…

– Faleminderit juve që po kujtoheni për ne dhe po mundoheni të promovoni vlerat e sportit shkodran të para viteve ’90.
Gjergj KOLA