Pas fushës në Famullinë e Shën Prendës, është inauguruar një tjetër investim i Federatës së Futbollit në Shkodër. Si pjesë e projektit të rëndësishëm “100 fushat”, në Shtoj është përuruar fusha e re me bar artificial, një investim i përbashkët i FSHF-së dhe akademisë “Soccer Star”. Në ceremoninë e përurimit të fushës së re mori pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, një nga përfaqësuesit e akademisë “Soccer Star”, Agim Zani, kryetari i SHRF Shkodër, Lazër Matija si edhe përfaqësues të futbollit në Shkodër, përfaqësues të mediave dhe fëmijë të zonës.
Në fjalën e rastit të mbajtur në këtë event, Presidenti Duka vlerësoi bashkëpunimin me akademinë “Soccer Star” dhe uroi që në të ardhmen Shkodra të ketë më shumë futbollistë.
“Është kënaqësi për mua të jem në inagurimin e fushës në Shtoj. Kjo fushë do t’i shërbejë stërvitjes së gjithë fëmijëve të zonës. Është shembulli më i mirë i bashkëpunimit të Federatës së Futbollit me një Akademi private. Ato që mund t’i krijojmë ne fëmijëve që t’i bashkohen sportit tonë është infrastruktura, trajnerët të cilët ne i kemi të kualifikuar.
Jemi e vetmja Federatë në botë që financojmë veshjet sportive që fëmijët i kanë sot veshur dhe topat e futbollit. Mjafton që fëmijët të kenë dëshirën, ne kemi të tjerat dhe futbolli të ecë përpara. Falenderoj Gimin, Lazerin si kryetar i SHRF Shkodër për bashkëpunimin dhe ju të tjerët. Uroj të kemi sa më shumë futbollistë në Shkodër.