Nga Endri ÇINARI

Aleksander Trumçi ka përjetuar një sezon të jashtëzakonshëm në Maqedoninë e Veriut me Shkëndijën. Shkodrani, jo vetëm që ishte një nga pikat e forta të ekipit tetovar, por arriti që paraqitjet personale t’i konkretizonte edhe me sukseset e skuadrës. Me kuqezinjtë që u shpallën kampionë të sezonit 2024-25 në elitën e futbollit maqedon.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, mbrojtësi flet për emocionet e këtij suksesi dhe performancën personale. Teksa thekson se ndihet mirë në Tetovë dhe vetëm një ofertë që kënaq klubin dhe atë mund të bëjë që ai të largohet gjatë merkatos verore.

-Trumçi, sa i lumtur për këtë triumf me Shkëndijën?
E vërtetë që ishte një sukses i madh dhe jam shumë i lumtur që së bashku me skuadrën arritëm të kthenim titullin kampion në Tetovë. Ky ishte sezoni im i parë me Shkëndijën e po ashtu i pari larg futbolli shqiptar. Ndihem shumë i plotësuar me këtë trofe të kampionatit që morëm plot meritë në fund të edicionit.

-Çfarë do thotë të shpallesh kampion me një ekip si kuqezinjtë?
Është një ndjenjë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Në Tetovë njerëzit jetojnë me futbollin dhe dashurojnë Shkëndijën. Çdo ditë takon tifozë që janë një forcë shumë e madhe për ne. Ka qenë një garë e fortë, por ne me shumë punë dhe sakrificë ia dolëm të ishim kampionë dhe të gëzonim çdo njeri në qytet.

-Ishte e vështirë të arrije tek suksesi?
Po, mund të them se ishte e vështirë sepse dihet që Shkëndija është e vetem ndaj të gjithëve në Maqedoninë e Veriut. Skuadra tregoi që në çdo moment është e bashkuar dhe ka cilësi, që unë besoj realisht që ishim skuadra më cilësore dhe më e mirë e kampionatit. Pavarësisht se është e kuptueshme që mund të ketë edhe ndonjë moment “jo” gjatë edicionit, por edhe pengesat i kaluam me sukses.

-Ka qenë një sezon që iu ka parë si protagonist, duket se jeni përshtatur menjëherë apo jo?
Jam përshtatur shumë shpejt, në një grup futbollistësh dhe drejtuesish që më kanë mirëpritur shumë ngrohtë. Një harmoni që patjetër të imponon të japësh edhe më shumë në fushën e lojës. Kjo më ka lehtësuar çdo gjë dhe unë jam munduar të jap më të mirën për skuadrën dhe objektivat e saj.

-Sa larg mund të shkojë Shkëndija në Europë?
Duhet të japim më të mirën tonë për të arritur maksimumin në çdo raund që mund të kualifikohemi. Shkëndija ka traditë në kompeticionet europiane dhe po ashtu ka në skuadër futbollistë që i njohin këto duele. Prandaj ne jemi gati për të përballuar çdo kundërshtar që mund të na paraqesë shorti.

-Do jesh sërish edicionin tjetër pjesë e ekipit apo synimi është një skuadër europiane?
Normal, çdo futbollist ka ëndërr të luajë në kampionatet e futbollit në Europë. Por unë jam nën kontratë me Shkëndijën dhe këtu ndihem si në shtëpi. Mirëpo nëse vjen një ofertë që kënaq klubin dhe mua, patjetër që mund ta shqyrtojmë dhe vendosim atë çfarë është më e mira për të gjitha palët.(www.shkodrasport.com)