Te Interi e djeshmja ishte dita e Simone Inzagit me rinovimin zyrtar deri në vitin 2026 teksa nga sot nis puna seriozisht për të ndjekur objektiva e sezonit të ri që mes kampionatit, Champions-it dhe Botërorit për kluve, janë vërtetë të shumta. Në vijim edhe intervista e trajnerit zikaltër.

Si ndiheni me kontratën e re?

Jam shumë i lumtur për rinovimin, falënderoj klubin dhe presidentin. Tek Interi ndihem si në shtëpinë time dhe ndihem i vlerësuar, kjo vlen më shumë se çdo gjë. Falënderoj klubin dhe të gjithë ambientin për besimin.

Çfarë ju pret sivjet?

Sfida më e madhe do të jetë të konfirmojmë veten, pasi kemi bërë diçka të jashtëzakonshme dhe të gjithë po na presin të përsëritemi. Objektivi është të përmirësohemi, pasi duhet t’i bëjmë tifozët të lumtur.

Cilat janë objektivat në merkato dhe gjatë sezonit?

Klubi po ecën mirë nën drejtimin, patëm një ngecje me Bjukenan dhe duhet të plotësojmë veten në atë rol. Duhet të garojmë për të gjitha objektivat. Do të luajmë më shumë ndeshje e do të jetë edhe më e vështirë sepse të kesh një sezon si ai i vitit të kaluar nuk do të jetë e lehtë. Në dy vitet e fundit, Milani dhe Napoli, të cilët fituan kampionatin, nuk e konfirmuan suksesin e tyre vitin e ardhshëm dhe patën shumë vështirësi.

Të dyja rivalet që përmendët kanë ndryshuar trajner, po ashtu edhe Juvja…

Koha do të tregojë gjithçka, trajnerë të fortë si Konte dhe Fonseka janë rikthyer në kampionatin italian dhe kundërshtarët tanë po forcohen. Duhet të jemi gati. Disa lojtarë do të mbërrijnë më vonë, u kemi dhënë edhe disa ditë pushime që të jemi sa më të gatshëm për një sezon plot impenjitme.

A është ky aktuali Interi më i fortë?

Çdo vit më bëhet kjo pyetje, ndoshta jemi më të fortë se vitin e kaluar. Fusha do të flasë, por jam i kënaqur sepse bëmë nënshkrime të shkëlqyera. Do të shohim se si ata do të përshtaten, por dyshime për ekipin nuk kam.

Si ju duket Champions-i i ri?

Objektivi është të shkojmë sa më larg, do të përballemi me ekipe me një buxhet të jashtëzakonshëm. Por nuk do të jetë një alibi, ne kemi parë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Çfarë ka rëndësi përtej buxhetit është dëshira që tregohet në fushë.