Alexander Isak vazhdon të qëndrojë i vendosur për transferimin te Liverpooli, duke refuzuar të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjet e ardhshme ndaj Aston Villa këtë javë, ndërsa Arne Slot e pranon publikisht se i duhet edhe një sulmues. 

Sulmuesi suedez ka hedhur poshtë edhe tentativat e klubit për rinovimin e kontratës, ndërsa dëshira e tij mbetet e qartë – të bashkohet me Reds sa më shpejt që të jetë e mundur.

Situata ka krijuar tension të hapur mes lojtarit dhe Newcastle, me të ardhmen e tij që duket gjithnjë e më larg “St James’ Park”.

Nga ana tjetër, trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, ka theksuar se procesi i rindërtimit të repartit ofensiv nuk ka përfunduar ende, pavarësisht nënshkrimit me Hugo Ekitike më herët këtë verë. Ai do edhe një sulmues.

“E shoh Hugon kryesisht si një numër 9, i cili mund të luajë edhe nga e majta ose së bashku me një numër 9 tjetër”.

“Na duhet të kemi të paktën edhe një sulmues”, deklaroi Slot për Sky Sports.

Deklaratat e tij janë një sinjal i qartë se Liverpooli është gati të bëjë një tjetër lëvizje për të siguruar shërbimet e Isakut, duke parë te ai lojtarin ideal për të kompletuar sulmin.

Nëse marrëveshja finalizohet, kjo do të ishte një nga transferimet më të bujshme të verës në Ligës Premier.