Aldo Teqja ishte ndër ata që i dha një dorë Dinamos në fitimin e Kupës së Shqipërisë. Mori përsipër të godasë penalltinë dhe ta shënojë, si edhe priti dy të tjera. Në fjalën e tij për mediat pas ndeshjes, gardiani i bluve rrëfen emocionet, ku shpreson që të mos ndalen me kaq. Një trofe që ai ua dedikon tifozëve dinamovitë.
“Normalisht që ndihemi shumë të lumtur pas këtij trofeu dhe shpresojmë që të vazhdojmë sërish kështu. Kemi edhe dy ndeshje të radhës për ‘Final 4’, fillimisht të kalojmë Vllazninë dhe më pas të shohim. Ky trofe u dedikohet padyshim tifozëve, sepse kanë shumë vite që e presin”, u shpreh fillimisht Aldo Teqja.
PENALLTITË – Sa u përket penalltive, ai tregon se e ka marrë guximin vetë për të kërkuar ta gjuante atë, ndërsa pritjet ia dedikon intuitës së tij. “Penalltinë e kërkova vetë, në fakt. Ramë dakord edhe me profesorin dhe e godita. Te penalltitë që prita, nuk e kisha studiuar kundërshtarin, më shumë ishte me intuitë, sesa studim”, sqaroi më tej portieri i Dinamos, që ndihmoi ekipin e tij për t’u rikthyer te një trofe pas shumë vitesh pritjeje.
VLLAZNIA – Dinamo ka të drejtën legjitime të festojë, por jo shumë, sepse vjen menjëherë ndeshja me Vllazninë, një përballje që vlen një tjetër finale, kësaj here për kampionatin, ndaj rëndësia është e madhe. Teqja e pranon se 120 minuta i kanë lodhur, por ka besim se do të rikuperojnë deri në ndeshjen me shkodranët. “120 minuta nuk janë pak, në fakt, por shpresoj të mos na ndikojë në ndeshjen e parë me Vllazninë. Kemi dy ditë për t’u përgatitur dhe të shohim”, përfundoi Teqja. Sakaq, blutë mund të shkojnë në finale vetëm nëse arrijnë të fitojnë brenda 90 minutave, sepse, për shkak të rregullores, me barazim janë shkodranët ata që kalojnë më tej.