Lojtarët po përkëdhelin të kaluarën e po shijojnë të tashmen me idenë se do të marrin pjesë në Champions pas shtatë vitesh mungesë, pavarësisht se grupi parashikon rivalë si Liverpuli, Atletiko dhe Porto. Ndërkohë, klubi po përkëdhel të ardhmen sepse përfitimet do të jenë të shumta edhe në disa drejtime.

Thërrmijat e Ligës së Europës kanë qenë gjithçka që skuadra ka shijuar në vitet e fundit e ndonjëherë as ato s’i ka arritur. Me Ligën e Kampioneve buxheti ka një rritje të ndjeshme, e cila u bashkëngjitet kostove gjithmonë në ulje të shoqërisë.

Sektori i marketingut ka nisur të shijojë gjithashtu benefitet e Kupës me veshë të gjatë, ndërkohë që edhe fanella ka më tepër joshje për ata që kanë qenë e që mund të jenë objektivat në ditët e fundit të merkatos. Përmirësimi i imazhit është një tjetër fushë ku Milani pret të shijojë frytet e rezultateve sportive duke u munduar të thyejë murin e 500 milionë tifozëve të shpërndarë në të gjithë globin.

BILANCI – Me ardhjen e “Elliott” në presidencë, objektivi ka qenë dhe mbetet vetëfinancimi. Hyrja në Champions nuk do të thotë që Maldini do të mund të shpenzojë shifra të çmendura. Është e pamendueshme që pas kaq shumë vitesh “purgator”, kuqezinjtë të mendojnë se mund të renditen mes tetë më të mirave të kontinentit brenda këtij sezoni. Vlerësimet e drejtuesve bëjnë që ekipi të synojë majat në 2-3 vite, gjithmonë nëse gjërat shkojnë sipas planit.

Kjo, sepse arkat vazhdojnë të shënojnë humbje. Në 2019-ën humbjet ishin në masën 194.6 milionë euro, ndërsa në 2020-ën prekën 145.9. Më 30 qershor Gazidhis u krenua falë bilancit me humbje nën 100 milionë euro. Pavarësisht problemit financiar, lajmi i mirë është se nuk do të jetë nevoja për kredi apo shitje aksionesh siç ndodh me klubet e tjera italiane.

FITIME – Ashtu si gjatë verës, edhe në 72 orët e fundit të merkatos, nuk do të ketë emra bombastikë si përforcime për ekipin e Piolit sepse edhe përfitimet nuk janë edhe aq shumë. UEFA vazhdon të jetë një burim kryesor të ardhurash për ekipet, dhe premiot për fitoren do të jenë 2.7 milionë euro. Çdo fitore në fazën e grupeve vlerësohet me këtë shumë, ndërsa barazimi 900 mijë euro.

Hyrja në Champions vlen 50-60 milionë euro, të cilat mund të shtohen nëse kuqezinjtë kapërcejnë fazën e grupeve. Si shembull mjafton të përmendim Juventusin, që në sezonet e fundit ka marrë nga Liga e Kampioneve përfitime që kanë përbërë 25 për qind të të ardhurave totale të klubit.

Në anën tjetër, krerët e “Djallit” vijojnë punën për të zvogëluar borderonë. Kufiri i pagave prej 4 milionë eurosh mund të kapërcehet për raste të veçanta siç ndodhi me Ibrën apo siç mund të jetë Kesi. Asnjë lojtar tjetër nuk do të paguhet më shumë dhe këtë e vërtetuan bisedimet për rinovimin e Çalhanoglusë që pasi pretendoi 5 milionë euro në vit, zgjodhi të largohej tek Interi sepse Milani nuk ia ofroi shumën në fjalë.

Në terma afrimesh, shembulli i shpenzimeve që do të kryejë Milani është Fikajo Tomori. 28 milionë eurot për anglezin përbëjnë një kapital të rëndësishëm të cilin Maldini po e menaxhon me dituri. Huazimet si Diaz do të jenë një tjetër mënyrë pune e kuqezinjve të cilët do të kërkojnë edhe një zgjidhje për të vënë në dispozicion të Piolit një fantazist. Favre dhe Korona janë emrat në krye të listës së dëshirave, megjithatë, vlera e tyre bën që te Milani të studiojnë edhe alternativa me kosto më të përmbajtur.