Juventusi nuk ka hequr dorë nga ideja për të transferuar sulmuesin e Napolit, Victor Osimhen, pasi sipas raportimeve të Sky Sport Italia, klubi torinez ka kontaktuar me përfaqësuesit e lojtarit gjatë 48 orëve të fundit për të intensifikuar negociatat.  

Nuk është sekret që ‘Bianconerët’ e kanë pasur nigerianin në listën e dëshirave për repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm, së bashku me sulmuesin Jonathan David. Sipas Sky Sport Italia, bisedimet janë intensifikuar gjatë fundjavës.  

Megjithatë, çdo lëvizje do të jetë shumë e vështirë, pasi klauzola e lirimit prej 75 milionë euro është e vlefshme vetëm për klubet jashtë Italisë, pikërisht sepse Napoli dëshiron të shmangë kalimet e drejtpërdrejta te rivalët vendas, sidomos pas eksperiencës së hidhur me transferimin e Gonzalo Higuain te Juve për 100 milionë euro disa vite më parë.  

Nëse Napoli do të pranojë ta shesë te një rival për titull si Juventusi, do të kërkojë të paktën 80 milionë euro.  

Nga ana tjetër, Osimhen, i cili rikthehet në stërvitje parasezonale pas huazimit te Galatasaray, nuk duket se është më prioritet për klubet e mëdha si Liverpool, Arsenal apo Manchester United.  

Al-Hilal kishte qenë i gatshëm të paguante klauzolën e plotë prej 75 milionë euro dhe t’i ofronte lojtarit një pagë marramendëse prej rreth 30 milionë euro në sezon, por Osimhen refuzoi, duke preferuar të vazhdojë karrierën në Evropë./Telegrafi/