Nga Maringlen ZHIVANI
Pas Kupës së Shqipërisë dhe kompeticioneve në rradhët e moshave, Federata Shqiptare e Atletikës do të zhvillojë kampionatin kombëtar për të rritur. Kështu, edicioni i 87-të i kampionatit do të mbahet nesër në stadiumin e “Elbasan Arena”, aty ku ekipi dhe atletët e Vllaznisë do të konkurrojnë për titullin më të rëndësishëm kombëtar, nga ku do të përcaktohen edhe sportistët që do të marrin pjesë në garat e ardhshme ndërkombëtare.
Për femra, Tirana vjen si kampione në fuqi, teksa ekipi bardheblu i trajnerit Taulant Stërmasi do të kërkojë konfirmimin në fron. Sa u përket meshkujve, kampione në fuqi është skuadra e Vllaznisë, me kuqeblutë që do të kërkojnë titullin e 17-të rradhazi dhe të 29-tin në historinë e klubit shkodran.
Këto shifra padiskutim që tregojnë më së miri edhe për punën e shkëlqyer që është bërë në dekadat e fundit nga trajnerët shumë pasionantë, siç janë Albert Marashi, por edhe pjesa tjetër Bruno Rrotani, Dorian Tafa dhe Jetmir Jahaj. Në fakt, ekipi shkodran është prej kohësh duke u përgatitur këtë eveniment që është më i rëndësishmi në garat kombëtare.
Stafi i Vllaznisë kuptohet që sytë i ka tek atletë si Franko Burraj, Kolindo Kiri, Leandro Çardaku, Durjan Idrizaj apo edhe Muhamet Çengeli, por edhe tek të tjerët, sepse pikët e secilit prej tyre, do ta shpallin ekipin shkodran sërish kampion.