Nga Maringlen ZHIVANI

Modelja nga Kosova, Kleofina Pnishi i ka dhënë fund beqarisë, duke u martuar me futbollistin e Kombëtares së Francës, Benjamin Pavard. Dasma madhështore e Benjamin Pavard dhe Kleofina Pnishit u zhvillua në Bregun e Amalfit. Futbollisti i Interit, i cili është edhe kampion bote me Francën, kurorëzoi martesën e tij me modelen dhe aktoren nga Gjakova.

Dasma u zhvillua në një atmosferë intime, me familje e shokë të ngushtë, ku flamuri kuqezi dhe ai i Kosovës nuk kishin sit ë mungonin. Në fakt, Kleofina Pnishi është nga fshati i Mejës në Gjakovë, aty ku u krye masakra më e madhe gjatë viteve të luftës.

Pikërisht, më 27-prill 1999, serbët grumbulluan 376-burra prej 15-fshatrave përreth, të cilët u pushkatuan mizorisht. Atëherë, familja Pnishi u detyrua të largohej drejt Marseilles.

Vitin e kaluar, Pavard erdhi në Kosovë, shkoi në Gjakovë dhe madje deri në Mejë, ku edhe luajti futboll në fushat e fshatit, me djemtë e vendit aty. Tani, kampioni i botës, Benjamin Pavard është dhëndërr Kosove dhe me këtë martesë, kosovarët kanë edhe një arsye tjetër për të qenë tifozë me Interin…