Bruno Fernandesh ka zbuluar se kishte oferta konkrete për t’u larguar nga Mançester Junajtid para se të nënshkruante kontratën e tij të re në “Old Trafford”.

Kapiteni i “Djajve të Kuq” firmosi një kontratë të re afatgjatë, duke e angazhuar të ardhmen e tij në klub deri në vitin 2027. Kontrata e re, e cila përfshin opsionin e një viti tjetër, është një lajm shumë i mirë për menaxherin Erik ten Hag në prag të sezonit të ri. Kuptohet se marrëveshja e re ka një përmirësim nga kontrata e tij e vjetër prej 240,000 £ në javë dhe e dërgon mesfushorin në majë, me fituesit më të mëdhenj të klubit.

“Kjo votë besimi nga klubi ishte shumë e rëndësishme për mua”, tha Fernandesh për “ESPN Brasil”. “Edhe pse më kërkuan klube të tjera, Junajtid ishte i vetëdijshëm se ekzistonte mundësia që unë të largohesha, kisha oferta konkrete. Por klubi tregoi se kishte nevojë për mua, se ishte në një kohë ndryshimi dhe se ata donin t’i bënin gjërat ndryshe”.

Pas nënshkrimit të kontratës së tij të re, kapiteni i ekipit tha: “Të gjithë e dinë pasionin që kam për Mançester Junajtid. Unë e kuptoj përgjegjësinë dhe rëndësinë e veshjes së kësaj fanelle dhe nivelet e përkushtimit dhe dëshirës që kërkohen për të përfaqësuar këtë klub të jashtëzakonshëm. Kam pasur shumë momente të veçanta këtu tashmë. Duke dëgjuar emrin tim të këndohet nga ‘Stretford End’, duke shënuar një tripletë kundër Lidsit, duke udhëhequr ekipin në ‘Old Trafford’ në netët evropiane dhe duke ngritur trofe në ‘Wembley’. Por unë nuk do ta kisha nënshkruar këtë kontratë nëse nuk do të besoja se momentet e mia më të mira në fanellën e Junajtidit nuk kanë ardhur ende”.