ëshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për transferimin e pronave shtetërore në pronësi të Korporatës së Investimeve Shqiptarepër realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i stadiumit ‘Niko Dovana’ në Durrës.

Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që Korporata, vetë ose përmes një subjekti të krijuar prej saj, të ndërrmarë veprime si zhvillues i pronës së përcaktuar e cila do të jetë në funksion të projektit.

Në vendim thuhet se në këtë kuadër do të autorizohet hapja e procedurave konkurruese për përzgjedhjen e një partneri privat duke renditur në vendim disa rregullas, si:

‘Dhënia me qira, enfiteozë, leasing, shitje apo forma të tjera të përdorimit të pronës shtetërore.’-thuhet në vendim. 

Korporata ka të drejtën ligjore të vendimarrjes të negociojë me subjekte private për kontrata zhvillimi, si dhe të bashkëpunojë me institucionet e planifikimit territorial dhe Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për regjistrimin e pronës së re që do të krijohet në kuadër të projektit.

Ky vendim autorizon që në funksion të zbatimit të projektit, të prishin objektet ekzistuese në përputhje me ligjin e planifikimit të territorit.

Në këtë vendim thuhet se shfuqizohet vendimi i mëparshëm që ngarkonte si autoritet kontraktor Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Synimi i këtij projekti është modernizimi i stadiumit ‘Niko Dovana’ edhe kthimi i tij në një hapësirë multifunksionale që do të përfshijë aktivitete sportive dhe kulturore për qytetin e Durrësit.

Vendimi: 

TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE  TË PRONAVE SHTETËRORE PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT  TË INVESTIMIT “RIJETËZIMI I STADIUMIT “NIKO DOVANA”, DURRËS”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të  ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, dhe të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, sh.a., me NIPT: M01917011D, të pronave shtetërore sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për realizimin e projektit të investimit “Rijetëzimi i stadiumit “Niko Dovana”, Durrës”.

Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, sh.a., vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, dhe autorizimit të dhënë nga Këshilli Bashkiak Durrës nëpërmjet vendimit nr.125, datë 27.7.2023, në funksion të realizimit të projektit të investimit të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i cili ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.

Autorizohen Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucioni i përcaktuar në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, apo autoritetet e autorizuara prej tyre, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entiteteve në pronësi të të cilit/ave regjistrohet prona e re shtetërore.

Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronës nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes.

Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit.

Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë/Bashkisë Durrës/ Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit, të pronës së re shtetërore, që do të krijohet në kuadër të projekteve të investimit.

Në funksion të zhvillimit të pronave të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Vendimi nr.485, datë 1.8.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për ngarkimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, si autoritet kontraktor për realizimin e projektit të zonës multifunksionale përreth kompleksit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, përfshirë stadiumin”, shfuqizohet.

Ngarkohen Bashkia Durrës, Federata Shqiptare e Futbollit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.