Aktualisht Shqipëria mund të ndihet pak me dhimbje koke në portë. Strakosha nuk po luan më te AEK, kaloi një sezon zhgënjyes dhe shumë problematik, nga krahu tjetër Berisha ka kohë që nuk është më pjesë e Kombëtares. Të tjerët duken të ftuar formalisht, Silvinjo nuk ka besuar kurrë as te Kastrati dhe as te Sherri, flasim për minutat e padhëna, përtej mendimit personal që trajneri mund të ketë për ta.
Por në të ardhmen, duhet të qëndrojmë të qetë, Shqipëria do të jetë edhe në duart e Raffaele Hulit. Ky portier është pjesë e të rinjëve të Juventusit, te U-17. Shpesh duke e mbyllur një ndeshje me rrjeta të paprekura, por ajo që vlerësohet shumë te ky lojtar, është nuhatja që ai ka në gjuajtje e kundërshtarëve dhe instikti, i cili shpesh është i lindur dhe më pak i stërvitur.
Huli duket i lindur për të qenë mes portierëve më të mirë në të ardhmen dhe padyshim, Kombëtarja do të thërras në të ardhmen. Aktualisht Huli është pjesë e Shqipërisë U-17, por jemi duke folur për një ftesë të mundshme nga Kombëtarja A. Aq i talentuar është ky portier, sa Italia e ka marrë njëherë me sukses nga Shqipëria, por më pas ishin sërish kuqezinjtë që bën gjithçka për ta rikthyer Huli në gjirin e tyre dhe për të mos e lënë te fqinjët tanë.
E ardhmja duket e ndritur, me Juventusin U-17, Huli ka fituar disa trofe dhe i fundit ishte në Hungari atje ku është përballur me ekipe të nivelit Real Madrid, por që sigurisht nuk kanë tërhequr kaq shumë vëmendje në mediat tona për shkak të grupmoshës së vogël. Por kur dikush bëhet i madh, nuk është e nevojshme ta duartrokasim ne, do të ketë shumë të tjerë që do të jenë aty në rresht të parë për ta bërë një gjë të tillë, ajo që Shqipëria duhet të punojë, është gjetja e talenteve të këtillë që janë duke u formuar dhe nuk e kanë bërë ende kalimin e tyre të madh. Huli, duket një rast i pastër… /Sport Ekspres/