Një lajm i madh vjen për sportistët në Shqipëri në kohën e koronavirusit. Për një periudhë 2-vjeçare të gjithë sportisëve në vend nuk do t’u mbahen më tatime nga shteti. Sot Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik miratoi ndryshimet në projektligjin, “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.

Federatat kishin kërkuar që të miratohej përjashtimi nga tatimet i sportistëve për një afat 5-vjeçar, por komisioni vendosi vetëm për dy vite, duke mos e pranuar të plotë kërkesën. Gjithsesi, fakti që nuk do t’u mbahen futbollistëve dy vite tatime është një lajm i rëndësishëm për vetë situatën, në mënyrë që edhe klubet e futbollit të deklarojnë të plotë rrogat e tyre.

Sipas njoftimit të bërë nga zyra për shtyp e kuvendit, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publikë, nën drejtimin e kryetares, Fatjona Dhimitri, në seancën e radhës online, shqyrtoi projektligjin, ndërsa në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi në këtë seancë dëgjimore ishte e pranishme zëvendësministria në Ministrinë e Financave, Vasilika Vjero.

Kjo e fundit, gjatë prezantimit të këtij projketligji, shprehu rëndësinë e tij. “Ky ndryshim ka të bëjë me shpërblimet e sportistëve të çdo lloji, të cilët kanë kontrata të rregullta më klubet sportive dhe njihen nga federatat përkatëse sportive për periudhën dy vjeçare 2021-2022.

Një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve e mbështetur dhe nga Ministria e Financave. Ky projektligj ka të bëjë me reformën në sport, duke luftuar informalitetin”, ka deklaruar zv.ministrja Vjero.