Nga Maringlen ZHIVANI
Mesfushori Tom Saettel nuk e ka kaluar provën te Vllaznia. Si rrjedhojë, nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport”, është larguar nga skuadra kuqeblu. Ai u aktivizua në dy miqësoret ndaj Laçit dhe Kukësit nga trajneri Edi Martini, por mesa duket nuk ka dhënë atë që stafi shkodran priste.
Tashmë, duket se në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit teknik, është vendosur që ai të mos qëndrojë më tek kuqeblutë. Saettel, 20-vjeç, ishte për herë të fundit pjesë e Strasburg B në ligën e pestë franceze. Mesfushori 20-vjeçar ka luajtur me ekipin U-17 dhe U-18 të Francës.
Gjatë kësaj kohe ka ndarë fushën edhe me yllin e ri të PSG-së, Desire Doue. Megjithatë, trajneri Edi Martini e ka dhënë verdiktin për këtë futbollist dhe si rrjedhojë, ai duhet të kthehet andej nga kishte ardhur.
Mesfushori është larguar drejt Francës, teksa trajneri Edi Martini e ka parë të arsyeshme që ai të mos zhvillojë më asnjë seancë stërvitore me skuadrën kuqeblu, pasi është e kotë. Në këto kushte, merkatoja e Vllaznisë mbetet e hapur.(www.shkodrasport.com)