Nga Endri ÇINARI
Diçka që është vënë re tek Vllaznia në këtë edicion janë daljet e pakta në media të futbollistëve, por edhe stafit teknik dhe atij drejtues të kuqebluve. Në këtë mënyrë shkodranët janë paraqitur para mediave vetëm në konferencat zyrtare para ndeshjeve. E po ashtu pas dueleve të Superiores ku ka folur trajneri apo edhe protagonistët e sfidave. Në këtë mënyrë duke “dribluar” mediat e tjera dhe kjo jo për ndonjë arsye të veçantë.
Apo ndonjë qejf mbejtje të shkodranëve me forume të ndryshme mediave, pasi marrëdhëniet e klubit me mediat janë më shumë se korrekte dhe profesionale. Por diçka e tillë është e “imponuar” kryesisht nga trajneri Martini, që pavarësisht se është një personazh shumë karizmatik, nuk preferon të shfaqet shumë në media.
Duke preferuar të jetë sa më “hermetik” në lidhje me skuadrat që ai drejton, e në këtë mënyrë duke mos u zhbalancuar në deklarata të shumta nëpër media dhe dalje televizive. Një lëvizje e tillë është bërë që skuadra të jetë edhe sa më larg presionit. Ku pavarësisht se tek Vllaznia këtë sezon është ndërtuar një ekip pretendent dhe me emra të njohur, ende nuk thuhet me zë të lartë në kampin shkodran se skuadra ka si synim vetëm titullin kampion.
Prandaj edhe daljet televizive apo deklaratat në media momentalisht janë me “pikatore”. Kjo ndoshta deri në një vendim tjetër nga ana e klubit, që në javët e ardhshme mund të ketë një vendim tjetër përsa i përket paraqitjes së futbollistëve në media.(www.shkodrasport.com)