Ish-futbollisti i Vllaznisë së viteve 1980, Lulzim Bërsheni ka analizuar së fundi për “Panorama Sport” situatën tek skuadra shkodrane pas eliminimit nga Kupat e Europes. Ish-fantazisti është ndalur te performanca e Vllaznisë në Europë gjatë kësaj vere, ku shprehet se skuadra mund të arrinte shumë më tepër. Ndër të tjera ai shpreh pak zhgënjimin për eliminimin ndaj Vikingur e teksa komenton kuqeblutë edhe në prag të sezonit të ri. Te Martini beson dhe po ashtu përforcimi i skuadrës me elementë të tjerë cilësorë në të ardhmen.
Bërsheni, i zhgënjyer ndoshta disi nga ai eliminim i Vllaznisë para një jave?
Po, dhe besoj se jo vetëm unë isha i zhgënjyer, por të gjithë në Shkodër dhe ata që duan Vllazninë. Ishte “mëkat” se si erdhi ai eliminim, pasi skuadra kishte gjithçka në dorë deri pak minuta para fundit dhe u duk shumë afër një kualifikimi historik. Por, që nuk erdhi dhe kjo ndoshta “djeg” disi, pasi ekipi në mendimin tim po merrte maksimumin nga ajo ndeshje.
Mund të bënte diçka më shumë skuadra?
Siç e thashë, po merrte maksimumin. Mu duk e saktë vendosja për të pritur kundërshtarin dhe goditur me kundërsulme, pavarësisht se nuk ishin aq efikase. Me të vërtetë Vikingur kishte ritëm, por golat i shënoi nga gabimet e Vllaznisë, që duhen analizuar me kujdes. Sepse po bëhen ripërsëritëse thuajse në të gjitha ndeshjet. E prandaj duhen marrë masat që të mos ripërsëriten. Ndoshta ekipi duhet të ishte disi më i “egër” në fund, një faull më shumë ndaj kundërshtarit nuk do ishte e “paligjshme”.
Si e gjykon aventurën e ekipit në Europë?
Normale do thoja, kaloi turin e parë me një ekip modest në mendimin tim dhe ishte një detyrim për Vllazninë. Pastaj ndaj Vikingur në ndeshjen e parë, skuadra më pëlqeu shumë e po ashtu në Islandë të gjithë ishim shumë optimistë. Por, futbolli i tillë është dhe jo gjithmonë emocionet të dërgojnë te suksesi. Do thoja që thjesht u arrit një objektiv minimal në Europë.
Çfarë do sugjeroje për të ardhmen?
Atë e dinë më mirë ata që janë aty, sepse janë çdo ditë me ekipin. Të japësh mendime nga larg është e lehtë, por thjesht do doja Vllazninë origjinale. Atë që luan futboll cilësor dhe që e duartrokasin dhe duan të gjithë. Them se vetëm me stilin tipik të Vllaznisë mund të arrihet drejt gjërave të mëdha. Pavarësisht se për atë stil jemi gjykuar edhe ndër vite sepse futbolli ka qenë ndoshta më cilësori në vend, por trofetë nuk kanë qenë aq të shumtë.
Sa besim keni te kjo Vllazni për sezonin e ri?
Besoj te skuadra si çdo shkodran që do ta shohë ekipin gjithmonë kampion. Por, ka ende vend për shumë përmirësime në prag të kampionatit. Drejtuesit dhe stafi duhet t’i evidentojë problematikat dhe rregullojë ato. Por, në kampionatin shqiptar ka pak diferenca prandaj them se sërish Vllaznia do luftojë për vendet e para në renditje.
Mendon se Martini e ka futur skuadrën në “shinat” e duhura?
Është një shprehje që thotë “i zoti e nxjerr gomarin nga balta”, dhe unë i qëndroj kësaj. Ndoshta jam fanatik apo nostalgjik, por unë them se vetëm me shkodranë Vllaznia shkon drejt titujve. Jam i lumtur që aty janë Martini dhe Sinani, dy figura të mirënjohura dhe të dashura në qytet. Them se ata e dinë çfarë i duhet skuadrës dhe se si duhen trajtuar gjërat te Vllaznia. Pastaj, koha do tregojë nëse do kenë sukses apo jo.
Ku duhet përforcuar skuadra ende me merkaton e hapur?
Skuadra ka nevojë për fantazi dhe shpejtësi në sulm. Prandaj shoh që në mesfushë dhe sulm ka ende boshllëqe për t’u plotësuar. Mbrojtja pavarësisht disa gabimeve mund të përmirësohet, por në mesfushë dhe sulm shoh pak alternativa për ekipin. Prandaj në këto ditë të merkatos them se forcat duhen përqendruar aty.