Real Madridi po planifikon që ta përdorë Manchester United si një ‘urë’ për njërin prej objektivave të tyre kryesor këtë verë.  United dhe Real Madridi pritet të jenë tejet të ngarkuar pasi të hapet afati kalimtar veror. Ruben Amorim pritet të transferojë lojtarë të rinj me synimin për ta rindërtuar ekipin e tij, pasi arriti në ‘Old Trafford’ në mes të sezonit. 

Gjiganti spanjoll në ndërkohë, ka identifikuar disa lojtarë, duke përfshirë Trent Alexander-Arnold, i cili duket se do t’i bashkohet atyre si lojtar i lirë në fund të sezonit.

Ata gjithashtu kanë identifikuar edhe një mbrojtës të majtë, me Alvaro Carreras që qëndron lartë në listën e tyre të prioriteteve. Carreras ka impresionuar me Benfican në elitën e futbollit portugez dhe ka bërë 46 paraqitje në të gjitha garat. Por madrilenët nuk duan që të negociojnë një transferim me Benfican, të cilët e vlerësojnë lojtarin rreth 50 milionë euro. 

Real Madridi po ngurron që ta paguajë çmimin e kërkuar nga Benfica dhe po planifikon të bëjë një kërkesë ndaj Unitedit, sipas Diario AS.  Ata duan që ‘Djajtë e Kuq’ të aktivizojnë klauzolën e riblerjes prej 15 milionë eurosh për Carreras në kontratën e tij me Benfican, të cilët paguan një shumë prej pesë milionë eurosh. 

Reali pastaj do të nënshkruante me 22-vjeçarin nga Unitedi për një çmim shumë më të ulët në krahasim me atë që po kërkon Benfica. Sipas raportit, kjo situatë po përshkruhet si fitimprurësë si për ‘Los Blancos’ ashtu edhe për gjigantin anglez. 
Nga Real Madridi vlerësojnë se oferta që duhet për të arritur një marrëveshje me Unitedin është mes 25-30 milionë euro./Telegrafi/