Volejbollisti i njohur i ekipit të “Vllaznisë” por edhe i kombëtares Mark Kroqi tregon jetën e një sportisti në diktaturë, se si i përjetoi ai këto vite, që i konsideron si vitet më të bukura të jetës, se kujt ia dedikon suksesin e tij në sport. Sigurisht Kroqi kujton dhe anën tjetër të diktaturës, sidomos për njerëzit e Sigurimit të Shtetit.

Ata që shoqëronin çdo skuadër, kombëtare apo jo, që luante jashtë vendit, cilat ishin këshillat dhe se si shpëtoi pa u dënuar për një letër të marrë dorazi nga motra e një ambasadori, apo se pse ai nuk i pranoi ofertat e klubeve të huaja për të luajtur në Europë.

Kroqi tregon dhe për shokun e vet më të mirë të atyre kohrave, Gjon Çobën, një sportist i harruar këto vite, edhe pse është vëllai i kryetares së parlamentit Jozefina Topallit. Ai ka jetuar në një lagje me familjen Çoba dhe ata ishin bashkë edhe në lojë edhe në jetë.

Kroqi tregon se si ata të dy u bënë pjesë e planit për të rrëmbyer anijen luftarake në Shirokë që të arratiseshin. Sipas tij, kjo ngjarje në fakt tronditi Shkodrën, pasi rojet që qëlluan drejt anijes vranë një fëmijë. Ai e tregon me dëshpërim këtë ngjarje, në të cilën nuk u bënë personazhe të saj as ai dhe as Gjoni vetëm për një harresë njerëzore.

Zoti Kroqi, ju jeni një nga sportistët e njohur të Shqipërisë, kjo njohje më tepër për brezin e ri, që më tepër ju ka parë si politikan, se sa brezin e vjetër, që ju njeh si një nga volejbollistët e mirë që ka pasur vendi. Si ishte të luaje sport në kohën e regjimit komunist?

Ju falenderoj sinqerisht që më jepni mundësinë që të flas për herë të parë për një pjesë shumë të rëndësishme të jetës sime, atë të sportit. Me të vërtetë ndihem shumë mirë që sa herë më jepet rasti apo kur takohem me shokë të mi të rinisë e të sportit në veçanti pjesën më të madhe të bisedave tona ia kushtojmë sportit në përgjithësi e volejbollit në veçanti.

Volejbollin e kam filluar shumë herët, në klasën e 5-të fillore. Në moshën 16- vjeçare kam luajtur me ekipin e të rriturve të Vllaznisë dhe në moshën 17- vjeçare kam qenë lojtar i ekipit kombëtar. Sigurisht që deri në vitin 1993 që e lashë volejbollin kam pasur periudha të mbushura me suksese sportive si edhe me “ngjarje” të pështira, presione psikologjike, këshilla idioteske teknike nga drejtuesit e lartë partiakë të kohës.

Ata e dinin veten inxhinierë, specialistë bujqësie, mësues e deri edhe specialistë sporti. Më kujtohet njëri prej tyre që në një analizë pas një humbjeje me Skënderbeun e Korçës pasi më bënte presion që do të më çonte mësues në Dukagjin mori kurajë të më mësonte ‘bllokun’ (elementi më i vështirë në sportin e volejbollit).

Kujt ia dedikoni mbështetjen tuaj sportive?
Në atë periudhë kam pasur fatin e madh që kam pasur trajnerë (dhe i kujtoj me shumë dashuri e mirënjohje) Mark Grimcin, Vangjel Kojën, Andon Kojën, të cilët kanë qenë jo vetëm trajnerë e mësues, por edhe si prind.

Ata kanë ndikuar në rritjen time profesionale sportive, por ç’është më e rëndësishmja në formimin e karakterin tim. Gjithashtu ishte kënaqësi të kishe përkrah Xhino Mjedën, Adrian Shirokën, Irfan Boriçin, Besnik Lishën, Gjon Çobën, etj., si dhe po aq fat të kishe kundërshtar Shaban Ukën, Arben Rakipin, Adrian Doçin, Agron Dukën, Hysen Domin, Robert Damon, Lulzim Jahon etj., me të cilët na ndante rrjeta e volejbollit, por na bashkonte shoqëria shumë e sinqertë.

Do të keni pasur rastin të dilni dhe jashtë vendit për të luajtur, a kishit oferta dhe a u tunduat nga këto oferta?
Sigurisht që në atë periudhë ata që dilnin jashtë shteti ishin persona të privilegjuar, pasi nuk mjaftonte të ishe sportist cilësor, por po nuk ishe i pastër nga biografia mbeteshe në klasë.

Në ekipin tim unë pata fatin të isha pjesëtar i ekipit kombëtar e të dilja jashtë shtetit duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në shumë aktivitete ndërkombëtare. Gjatë këtyre aktiviteteve shumë shokë të mi, por edhe unë kemi pasur shumë oferta joshëse për t’u përfshirë në skuadrat e huaja. Ka qenë një menaxher sporti, italian, që ndiqte ballkaniadën në Greqi ku unë dola në 6 volejbollistët më të mirë të saj, që atëherë e fituan grekët.

Edhe grekët më patën bërë ofertë direkte për të luajtur me ekipet e tyre atje. Por deri këtu. Ofertat na tundonin shumë shpirtin, por çfarë t’i bënim “partisë që na i kishte plotësuar të gjitha kushtet në Shqipëri”, e nuk na linte të shkonim jashtë që të “hiqnim keq”, thua se kishim 1000 vjet jetë sportive.

Gjatë udhëtimeve tuaja a keni pasur shoqërues punonjësit e sigurimit të shtetit, si silleshin atëherë dhe si sillen ato sot me ju?
Me siguri që opinioni publik tashmë i di procedurat që i nënshtroheshin sportistët para se të dilnin jashtë shtetit e nuk përbën më kuriozitet, por ajo që di të them është fakti që të gjithë i dëgjonim “këshillat” para nisjes, por në të vërtetë ato bënin efektin e kundërt pasi ishin ata vetë që na rikujtonin faktin e mundësisë për të mos u kthyer në atdhe.

Të them të drejtën shumë herë më ka tunduar mendimi i moskthimit pasi kisha kërkesa për të luajtur në ato vende, por konsekuencat ndaj familjes më kanë penguar. Në këto udhëtime jemi shoqëruar vazhdimisht nga një përfaqësues i sigurimit të shtetit. Nuk e them nga urrejtja që kam për ata njerëz që përfaqësonin pjesën më të zezë të atij regjimi, por me të vërtetë që pjesa më e madhe e atyre që kam njohur kanë qenë të zinj në shpirt.

Mund të na tregoni ndonjë rast?
Kujtoj njërin prej tyre. Me pat dhënë një letër motra e një ambasadori në Beograd (ajo punonte në teatrin kombëtar së bashku me një të afërmin tim) për t’ia dërguar dorazi (e ndaluar rreptësisht) të cilën nuk e deklarova. Në doganën e shtetit fqinj doganieri e pa letrën e lexoi e ma ktheu. Kur u ktheva në autobus gjeta sigurimsin të bërë zi sterrë, filloi nga pyetjet e presionet.

Më pyeste se çfarë ishte shkruar në letër e çfarë kuptimi kanë fjalët e fjalitë e shkruara. Kjo histori vazhdoi gjithë rrugën. Megjithëse gjeta rastin e ia komunikova vetë ambasadorit gojarisht historinë e letrës që duhej t’ia jepja, sigurimsi ngurronte t’ia jepte ambasadorit letrën që e shtrëngonte në duar si një gjë shumë të çmuar. Ai me siguri që mendonte që kishte kapur një armik në radhët e sportit. E histori të tilla kam plot për të treguar meqenëse isha nga qyteti që ata e konsideronin si “tradhtar”.

Po sot i ke takuar “të zellshmit” e regjimit?
Në vitet e demokracisë kam takuar disa prej tyre. Të bën përshtypje fakti “që nuk janë më të njëjtit” e justifikohen duke thënë ‘ashtu ka qenë koha’. Me të vërtetë se ashtu ka qenë koha por çfarë duan që megjithëse e njohin veten merren me politikë. Gjithsesi i jam “mirënjohës” që nuk më janë vënë në shpinë për të më bërë anëtar të sistemit të tyre.

Ju keni luajtur së bashku me Gjon Çobën, një sportist që duket sikur i është harruar emri këto vite…
Ndër shokët e mi më të afërt (meqenëse po më pyesni) ka qenë edhe Gjon Çoba. Ne kemi jetuar në një lagje, kemi ndjekur të njëjtën shkollë e kemi luajtur vite e vite me radhë bashkë. Ai vjen nga një familje me tradita intelektuale, qytetare, e të persekutuar nga regjimi komunist.

Ia kam njohur mirë babain (që i ka vdekur) nënën e motrat. Shumë shpesh kujtoj Xhinën, një grua pafundësisht e mirë, e urtë e që punonte shumë për të rritur fëmijët. Siç ju thashë kemi jetuar në një lagje, e cila ishte totalisht e përcaktuar politikisht kundra regjimit, e që sigurisht që fryma antikomuniste ishte e pranishme në çdo shtëpi.

Meqë nuk tentuat të pranonit ofertat e skuadrave të huaja a tentuat ndonjëherë të arratiseshit nga Shqipëria?
Shumë persona nga lagja jonë arratiseshin, të tjerë tentonin, shumë bënin plane, sikurse shumë të tjerë nuk arrinin të realizonin ëndrrën e tyre e vriteshin në kufi. Në vitin 1988 një grup nga lagja jonë arriti të arratisej duke rrëmbyer anijen luftarake në Liqenin e Shkodrës, në Shirokë.

Atëherë kjo ngjarja e Shirokës bëri bujë te madhe në atë kohë pasi disa familje pasi rrëmbyen anijen luftarake arritën të kalonin kufirin. Anija u qëllua nga rojet dhe një fëmijë i vogël mbeti i vrarë. Të gjithë personat që u arratisën (mbi 15 veta) ishin nga lagjja ku unë jetoj. Disa kanë qenë komshinjtë të mi (20 metra larg nga shtëpia). Lidhjet i kishim me shokun tonë të skuadrës. Nisja është shtyrë disa herë, në varësi të rrethanave të kohës.

Ju do iknit vetëm për të realizuar ëndrrën tuaj për të jetuar të lirë?
Jo, pjesë e këtij plani, përmes një shokut tonë, volejbollist, që u arratis, ishim edhe unë e Gjoni. Arsyen e mos lajmërimit në kohë nga shoku ynë nuk e morëm vesh, pasi ai që nga ajo kohe nuk është kthyer në Shqipëri nga SHBA-ja ku jeton aktualisht.

Megjithatë Gjoni nuk hoqi dorë nga ëndrra e tij e në 1991 iku në Itali pa e menduar dy herë. Atje për shumë vite ka punuar në ndërtim, por më e rëndësishmja është se ka pasur shumë suksese si trajner i ekipeve të moshave të reja si dhe si trajner i ekipit kampion të femrave të Modenas të Italisë.
Mua më vjen shumë keq që asnjë autoritet sportiv nuk e shfrytëzon eksperiencën si trajner të Gjonit e do t’i thosha që siç e njoh unë Gjonin, ai do të jepte ndihmesën e tij në të mirën e volejbollit shqiptar, e të mos kenë frikë se s’ka ndonjë ambicie për karrigen e asnjërit prej tyre.
Gilmana BUSHATI