Nga Endri ÇINARI
Vllaznia mori një sukses me shumë vlera në javën e 28-të të Superiores kundër Partizanit në shifrat 2-0. Kuqeblutë arritën të ishin triumfues ndaj “demave” duke rikuperuar edhe vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Ku objektivi i skuadrës shkodrane mbetet renditja në dy vendet e para në përfundim të sezonit të rregullt pas 36 javësh.
Për këtë 3 pikësh, 9 herë kampionët e Shqipërisë iu falën golave të Grudes dhe Bajramit. Por edhe loja ishte në përgjithësi e një niveli goxha të kënaqshëm për skuadrën e Brdariç. Megjithatë ajo çfarë kishte kënaqur më së tepërimi trajnerin gjerman, i cili e theksoi edhe në daljen e tij për mediat pas ndeshjes ishte mos pësimi i golit, shkruan shkodrasport.com
Skuadra arriti ta mbajë portën e paprekur, ku mbrojtja u tregua në nivelin e duhur kundër Partizanit. Duke limituar në maksimum manovrën sulmuese të kryeqytetasve. E po ashtu edhe portieri Jukaj që u tregua vendimtar në 2-3 raste ku u thirr në “apel”. Një paraqitje totalisht ndryshe nga ndeshja e fundit kundër Laçit ku ekipi u “shthur” në pjesën e parë të takimit ndaj kurbinasve.
Kampionati tashmë ka hyrë në fazën e fundit dhe atë më vendimtare të tij. Me Vllazninë që po lufton në dy fronte si kampionat dhe kupë, mbajtja e portës së paprekur është një faktor që garanton sukses. Fakt të cilin e thekson shpesh edhe trajneri Brdariç në konferencat e zakonshme për shtyp.(www.shkodrasport.com)