Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia nuk po nxitohet në këtë merkato, edhe pse sfidat e Europës po afrohen. Në klubin kuqeblu ka disa emra që qarkullojnë, por në fund asgjë nuk do të mbyllet pa pasur aprovimin e Edi Martinit, i cili është ai që do të thotë fjalën e tij. Largimet e Stojanoviç, Deliut dhe Kahrimanoviç apo edhe të tjerëve kanë lënë boshllëk.

Për këtë, afrimet që vijnë duhet të mos zhgënjejnë, teksa deri tani janë lakuar emra që e njohin elitën e futbollit shqiptar dhe kanë bërë mirë më parë. Deri më tani, kanë firmosur Kruja, Kouros dhe Hakaj, si edhe tre futbollistët e rinj Kubazi, Ara dhe Hajdari, që firmosën për tre vite. Kjo tregon edhe fokusin e Vllaznisë tek Akademia.

Te Vllaznia synohet pikërisht ndërthurja e elementeve të rinj me ata që kanë eksperiencë. Kjo do të fillonte një cikël të ri. Kjo merkato është mjaft thelbësore për Vllazninë, që kërkon të rikthehet sërish te trofetë.

Prej nga emërimi i trajnerit Edi Martini po bëhet një muaj dhe me kohën që po kalon, bisedimet me objektivat e merkatos duhet të konkretizohen, pasi Vllaznia nuk e ka luksin për ta marrë shtruar, duke marrë në konsideratë edhe faktin se pas një muaji do të luhen ndeshjet e turit të parë në Conference League.(www.shkodrasport.com)