Nga Maringlen ZHIVANI

Vllaznia po punon për të plotësuar jo vetëm dëshirat e trajnerit Edi Martini, por të forcojë ekipin për aventurën europiane dhe pastaj për kampionatin. Deri tani, janë bërë vetëm tre afrime, të cilët janë Kruja, Kouros dhe Hakaj, teksa përveç tyre nuk ka ndonjë afrim të ri.

Megjithatë, “Shkodra Sport” mëson se priten të tjera afrime për ndeshjet e Europës. Nga sa mësohet, Vllaznia po punon për emra me peshë, teksa një nga ata është Kallaku, i cili ka spikatur më parë në Shqipëri. Megjithatë, pavarësisht asaj, Edi Martini duhet ta ketë ekipin gati për ndeshjet e korrikut.

Koha nuk premton, teksa në të njëjtën kohë, te Vllaznia nuk duan të nxitohen me asnjë lëvizje. Ndërkohë, përgatitjet për Europën po vijojnë me seriozitet.

Kuqeblutë do të njohin kundërshtarin e turit të parë në Conference League më 17-qershor. Aktualisht, tre futbollistë kanë zyrtarizuar largimin nga Vllaznia, teksa bëhet fjalë për mbrojtësin Stojanoviç, si edhe mesfushorët Deliu dhe Kahrimanoviç.