Regi Lushkja nuk lëviz nga Egnatia! Ky është vendimi i klubit rrogozhinas i cili ka refuzuar ofertën që i ka ardhur nga Turqia për yllin e skuadrës.

Para ndeshjes së djeshme kundër Olimpija Ljubljanës, drejtori sportiv Klejdi Zenelaj deklaroi se ishin në bisedime me një klub turk për lojtarin dhe negociatat ishin në fazë të avancuar. Sipas “Panorama Sport klubi në fjalë ishte Sivaspor, i cili kishte bërë një ofertë prej 100 mijë eurosh për kartonin e lojtarit.

E ndërsa Lushkja pas ndeshjes pranoi publikisht bisedimet, trajneri Tetova tha se lojtari nuk do të lëvizte. Këtë e konfirmoi sot edhe presidenti i Egnatias, Agim Demrozi.

“Na kanë bërë një ofertë qesharake prej 100 mijë eurosh. Ai nuk lëviz nga Egnatia se ka edhe tre vite kontratë me ne”, u shpreh Demrozi për “Panorama Sport”, duke i vënë kapakun çështjes, të paktën për momentin.