Flamurtari, ofertë Odise Roshit. Sipas “Panorama Sport” kuqezinjtë kërkojnë të rikthejnë në Vlorë pas 14 vitesh futbollistin fierak, që ka qenë pjesë edhe e Kombëtares shqiptare të futbollit.
Roshi ishte pjesë e Flamurtarit qysh në rininë e hershme të tij dhe ka mbajtur veshur fanellën kuqezi në sezonet 2009-2011 dhe më pas u zhvendos drejt Gjermanisë, ku për 4 vite do të aktivizohej me Këln dhe Frankfurt. 33- vjeçari do të kishte edhe disa aventura të tjera jashtë Shqipërisë për t’u zhvendosur në Turqi në vitin 2021. Roshi ka shkëlqyer këtë vit tek Erzurumspor. Nisur edhe nga rikthimi në Superiore, Flamurtari do të kërkojë me ngulm që të marrë shërbimet e ish-lojtarit të Kombëtares, por ai ka edhe një pikë shumë të fortë në skuadër, zëvendëstrajnerin Andi Ribaj, që ka shumë miqësi me Roshin.
Me sa duket, edhe Ribaj do të ketë pjesën e tij për ta bindur Roshin që të rikthehet në Vlorë dhe pse jo ndoshta si një mbyllje e karrierës së tij. Mësohet se dëshira që 33- vjeçari të jetë në Vlorë është edhe e administratorit Sinan Idrizi, i cili është i gatshëm që t’i plotësojë çdo kërkesë trajnerit Artim Pollozhani për të ndërtuar një skuadër dinjitoze për elitën.
LARGIMET E MUNDËSHME
Flamurtari nuk ka konfirmuar ende zyrtarisht se cilët lojtarë do të largohen dhe që nuk do të jenë pjesë e klubit në Superiore. Largimet lidhen edhe me planin e përforcimeve. Hyrja në merkato mund të nisë që nga porta. Janë të mëdha shanset që Stivi Frashëri dhe Ariol Kaloshi të mos jenë në planet e klubit për sezonin e ri në Superiore.
Frashëri u penalizua jo pak nga dëmtimi gjatë sezonit që sapo u mbyll. Ndërsa portieri Ariol Kaloshi ka bërë mirë gjatë kësaj periudhe, që ka qenë te Flamurtari. Burime pranë klubit thonë për gazetën se disa pasiguri që ai ka pasur në ndeshjet e fundit vendimtare, e kanë vendosur në pikëpyetje qëndrimin e tij si titullar në elitë.
Gjasat janë që ta ketë mbyllur tashmë edhe Valentino Murataj, i cili sezonin e mbylli para kohë nga dënimi. E njëjta situatë mund të jetë edhe për Albi Allën dhe Ilir Allmuçën. Gjithsesi, lista e largimeve pritet të jetë më zgjeruar dhe emrat do të bëhen publik para se të nisë punë për sezonin e ri.
RIKONFIRMIMET
Disa lojtarë duket se janë në planet e trajnerit Artim Pollozhanit dhe drejtuesve të klubit. Janë të shumta mundësitë që t’i ofrohet rinovimi kapitenit Denis Pjeshka. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Vasil Shkurtajn. Mësohet se pëlqim ka edhe për Aldrit Oshafin, Lorenc Trashin, apo edhe Idriz Bathën. Në shqyrtim do të jenë edhe Fabio Hasa, Alesandro Kacbufi, Herald Marku, Alesandro Ahmetaj apo edhe Trimor Selimi.
Nga lojtarët e huaj që kanë më shumë kuota konfirmimi janë Diavara Bangaly dhe Krist Ememe. Megjithatë, është ende shpejt për të folur pasi kampionati sapo ka përfunduar. Një pjesë e këtyre lojtarëve kanë vijuar edhe dje stërvitjen në ambientet e stadiumit nën drejtimin e trajnerit Pollozhani.