Elbasani ka “ndezur motorët” për sezonin e ri futbollistik në Superiore. Skuadra verdheblu ka zhvilluar seancën e parë stërvitore, duke sinjalizuar nisjen zyrtare të fazës përgatitore, ku morën pjesë 24 lojtarë.
Trajneri Ivan Gvozdenoviç kishte në dispozicion të gjithë gardën e vjetër të sezonit të kaluar, ndërsa prezente ishin edhe dy afrimet më të fundit në merkato. Portieri çek, Martin Janaçek, i cili pritet të jetë titullar mes shtyllave dhe sulmuesi Donart Ibrahimi, 21-vjeçari nga Maqedonia e Veriut, që vjen nga Voska Sport me statistika premtuese. Ata janë bashkuar me grupin dhe kanë kryer seancën e parë me ngarkesa të lehta. Klubi synon të ndërtojë një grup të konsoliduar që të jetë kompetitiv që në javët e para të kampionatit, me synimin e qartë për të luftuar për një vend në arenën europiane. Stërvitjet do të vijojnë në Elbasan për tri javë, ndërsa faza e dytë përgatitore do të mbahet jashtë vendit në Greqi.
GVOZDENOVIÇ – Trajneri Ivan Gvozdenoviç është shfaqur i kënaqur me gjendjen e skuadrës në seancën e parë stërvitore. Në një prononcim enkas për “Panorama Sport”, tekniku serb vlerësoi prezencën e plotë të grupit dhe afrimet e reja, ndërsa foli edhe për pritshmëritë në vazhdim.
“Më vjen mirë që janë të gjithë lojtarët të gatshëm me ne në këtë seancë të parë stërvitore. Tani kemi pak më shumë eksperiencë se vitin e kaluar. Ndoshta presim dhe të kërkojmë diçka më shumë këtë sezon”, u shpreh Gvozdenoviç, duke lënë të nënkuptohet se pritshmëritë për Elbasanin janë rritur.
Megjithatë, ai nuk preferoi të flasë për objektiva të drejtpërdrejtë, duke ia lënë këtë pjesë klubit.
“Nuk mund të flas për objektiv përpara klubit. Por dihet që Elbasani është një skuadër me emër të madh dhe që synon gjithnjë më të mirën sa herë merr pjesë në një garë”, vijoi më tej tekniku i Elbasanit. Në lidhje me merkaton, trajneri verdheblu pranoi se stafi teknik pret ende lëvizje të tjera.
“Trajnerët presin gjithnjë më shumë nga merkato (qesh). Megjithatë, ndoshta është pak edhe herët, sepse kemi kohë. Për momentin jam i kënaqur nga dy afrimet e reja që kemi bërë. Presim të na afrohet një sulmues dhe një winger, të paktën për momentin. Më pas do të shohim, sepse merkatoja është e gjatë dhe jemi të hapur në këtë aspekt, mjafton të përforcohet skuadra”, mbylli prononcimin e tij Ivan Gvozdenoviç. Elbasani ka si synim ndërtimin e një skuadre konkurruese për sezonin e dytë radhazi në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa merkatoja pritet të luajë një rol vendimtar në përmbushjen e këtij misioni.