Nga Endri ÇINARI

Të hënën e kësaj fillim jave, Vllaznia zyrtarizoi afrimin e rradhës në skuadër gjatë kësaj vere. Ai ishte Esin Hakaj, i cili e dërgon në 3 futbollistë të afruar në rradhët e shkodranëve gjatë kësaj merkatoje. Ku pas Krujes dhe Kuros, ishte rradha e mëngjërashit për tu konfirmuar si një afrim që mund të konsiderohet me “peshë” në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit.

Por deri më tani kjo merkato e kuqebluve tregon se Vllaznia po “anon” majtas. Kjo sepse në skuadër nga 3 futbollistë të afruar, dy prej tyre luajnë si mbrojtës të majtë. Pikërisht Hakaj dhe Kuros, pavarësisht se greku mund të aktivizohet edhe në rolin e qendërmbrojtësit falë eksperiencës që ka. Shto këtu faktin se në skuadër është edhe Jago, titullari i sezonit të shkuar në krahun e majtë të prapavijës.

Me brazilianin që zhvilloi 35 ndeshje në kampionatin e shkuar, duke qenë edhe një nga pikat e forta të skuadrës. Pra, 3 futbollistë të një pozicioni, që patjetër do kombinohen nga ana e trajnerit Martini, në mënyrë që të shfrytëzohen aftësitë e secilit. E ndërsa edhe në të djathtë të mbrojtjes gjithçka duket e “blinduar”, me Gurishten që ka rinovuar së fundmi dhe Krujen tashmë të afruar në këtë merkato.

Me këtë të fundit që pavarësisht se nuk është një mbrojtës tipik, në sezonet e fundit ka shkëlqyer në rolin e mbrojtësit të djathtë. Kjo duke u përshtatur mjaft mirë në atë pozicion e duke qenë edhe një nga më të mirët në kampionat.(www.shkodrasport.com)