Pavarësisht vështirësive që po kalon, ekipi i volejbollit të femrave të Vllaznisë ka gjetur kohë për pak “frymëmarrje”. Në ndeshjen e së shtunës ndaj Korabit, e vlefshme për javën e dytë të kampionatit, ka fituar me rezultatin e pastër 3-0.
Ajo çka ra në sy në këtë përballje ishte se në formacionin shkodran kishte edhe një emër të ri. Bëhet fjalë për volejbollisten 20 vjeçare të ardhur nga Maqedonia e Veriut, Dobrina Hadi Toseva. Kjo lojtare ishte edhe pikëshënuesja më e mirë e ndeshje teksa shënoi 18 të tilla.
Toseva vjen nga ekipi OK Centar Ort dhe konsiderohet një përforcim i rëndësishëm për Vllazninë, nisur edhe nga numri i reduktuar i lojtareve cilësore që stafi teknik ka në dispozicion pasi shumica e ekipit është e përbërë nga vajza të reja.
Me ardhjen e kësaj volejbollisteje që luan në rolin e diagonalistes, trajneri Tafa po mundohet t’i japë një fytyrë tjetër skuadrës megjithatë ajo nuk mjafton dhe po shikohet mundësia për marrjen edhe të një tjetër lojtareje të huaj.(www.shkodrasport.com)