Nga Maringlen ZHIVANI
Edhe pse Vllaznia nuk e mori dot titullin kampion, sërish sezoni deri diku mund të quhet pozitiv, sepse ishte deri në fund rivalizuese. Në këtë vit, përgjatë kampionatit kishte edhe disa futbollistë që spikatën mbi të tjerët dhe ishin në “shënjestrën” e skuadrave të huaja. Në fakt, deri më tani duhet thënë se shkodranët nuk kanë arritur të përfitojnë shumë të mëdha nga shitja e ndonjë prej futbollistëve, siç ishin rasti i Smajlit dhe Alivodës, por ndoshta tashmë ka ardhur koha që kuqeblutë të nisin të përfitojnë ekonomikisht edhe në këtë aspekt.
Në fakt, mësohet se për dy prej futbollistëve të Vllaznisë ka pasur oferta konkrete në adresë të klubit. Fjala është për portierin Aron Jukaj dhe sulmuesin Kevin Dodaj, dy prej futbollistëve më të spikatur dhe që kanë mbajtur një peshë jo të vogël mbi supe edicionin që sapo lamë pas. Tani, duke qenë se ata janë në kulmin e tyre dhe me moshë relativisht të re, ka bërë që shumë ekipe të jenë të interesuara për shërbimet e tyre.
Sa i takon portierit Jukaj, ai ka qenë titullar stabël në portën e Vllaznisë, duke rënë në sy disa herë me performanca pozitive. Në fakt, kanë qenë pikërisht këto paraqitje të tij që kanë tërhequr vëmendjen e menaxherëve të huaj, të cilët kanë kërkuar informacion pranë klubit rreth mundësisë së një shitje të tij. Për momentin, drejtuesit e shohin si një pikë kyçe në ekip dhe aktualisht, ai do të vijojë të jetë pjesë e shkodranëve.
Nga ana tjetër, rradha për të marrë shërbimet e Kevin Dodajt është e gjatë. Ai e mbylli sezonin me gjashtë gola në 37-ndeshje. 19-vjeçari ka ngjallur interesimin e shumë ekipeve të huaja në merkaton e janarit, por duket se të njëjtat kërkesa po vijnë edhe tani me hapjen e merkatos së verës. Megjithatë, duhet parë se me çfarë oferte, mund të bjerë dakord Vllaznia për ta lënë të lirë sulmuesin e tyre të ri.(www.shkodrasport.com)