HomeKRYESOREMilan me 10 lojtarë mund Napolin 2-1 dhe merr kryesimin e Seria...

Milan me 10 lojtarë mund Napolin 2-1 dhe merr kryesimin e Seria A

Milani mposhti Napolin 2-1 në “San Siro”, pavarësisht se luajti për gati gjysmë ore me një lojtar më pak. Me këtë fitore, kuqezinjtë shkojnë në kuotën e 12 pikëve, duke u bashkuar me Napolin dhe Romën në krye të tabelës së Serie A.

Skuadra e Masimiliano Alegrit e nisi në mënyrën më të mirë takimin. Vetëm pas tre minutash, Pulisiç depërtoi pas Marianuçit dhe shërbeu një asist perfekt për Saelemaekers, i cili zhbllokoi shifrat. Napoli reagoi, por gjeti përballë një Menja në formë, i cili ndali përpjekjet e Gutierrez dhe Mek Tominej.

Në minutën e 25-të, kuqezinjtë dyfishuan me Pulisiç, pas një aksioni të shpejtë ku u kombinua me Pavloviç dhe Fofana. Topi i tij u devijua nga Huan Zhezus dhe përfundoi në rrjetë, duke e çuar amerikanin në kuotën e katër golave këtë sezon, duke kryesuar klasifikimin e golashënuesve në Serie A.

Pjesa e dytë nisi keq për Milanin: Estupinan shkaktoi penallti dhe u ndëshkua me karton të kuq, pas faullit ndaj Di Lorenco.

Nga pika e bardhë, Kevin De Bryjn nuk gaboi, duke ngushtuar diferencën. Alegri sakrifikoi Pulisiç për të futur Bartesaghin, ndërsa tensioni në fushë u rrit.

Napoli shtoi presionin, por Milani rezistoi me vendosmëri. Rabiot ndali një goditje të Elmas, ndërsa tentativa e Neres u devijua nga Modriç dhe u përplas në traversë. Në shtatë minutat shtesë, kuqezinjtë u mbrojtën me heroizëm dhe siguruan fitoren e katërt radhazi në kampionat.

Me këtë sukses, Milani jo vetëm që u ngjit në krye, por i dha fund edhe serisë prej 16 ndeshjesh pa humbje të Napolit në Serie A, një rekord që ishte më i gjati aktualisht në pesë ligat kryesore të Europës.

MILAN 2-1 NAPOLI

3′ Selemakers, 31′ Pulisiç / 60′ De Bryjn (p)

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments