Nga Endri ÇINARI

Ishte ndoshta rinovimi më i rëndësishëm tek Vllaznia në këtë periudhë merkatoje verore, me kuqeblutë të cilët edhe për një sezon siguruan shërbimet e Esat Males. Me 26-vjeçarin që do luajë sezonin e katërt rradhazi me fanellën e shkodranëve, ku gjatë këtyre viteve ka qenë ndër futbollistët kryesor të ekipit. Ku sezoni 2024-25 ishte më i miri me Vllazninë dhe më i miri në karrierën e prizrenasit.

I cili në kampionat arriti të shënonte 7 gola dhe asistonte 12 të tillë, statistika që nuk i kishte shënuar më parë. E tek 9 herë kampionët e vendit patjetër duan vijimin e asaj forme të ish-futbollistit të Partizanit. Por tashmë atij i duhet që këtë performancë ta shfaqë në një “pozicion” të ri në fushë. Malen në shumicën e karrierës së tij e kemi parë të luajë në krahun e djathtë të mesfushës ose sulmit, pavarësisht polivalencës së tij në fushë.

Por, me ardhjen e Martinit në krye të ekipit, pozicioni në fushë ka ndryshuar për Malen, kjo për shkak të skemës. Duke qenë se shkodrani aplikon shpesh vendosjen 3-5-2, Mala në këto ndeshje të para verore është aktivizuar në treshen e mesfushës qendrore.

Megjithatë duke pasur një rol më të avancuar si mesfushor, duke mbuluar kështu rolin e “fantazistit” që ende po mungon tek shkodranët. Deri në momentin që në skuadër të afrohet një mesfushor me tipare sulmuese, do jetë Mala që do e mbulojë atë rol. Me prizrenasin që do jetë një pikë kyçe në formacionin kuqeblu për sezonin e ri.(www.shkodrasport.com)