Nga Endri ÇINARI

Vllaznia do i mbyllë përgatitjet verore ditën e shtunë në orën 19:00, ku shkodranët do presin në “Loro Boriçi” , Besën e Kavajës. Me duelin ndaj verdhezinjëve që do jetë i treti brenda një jave për të besuarit e Martinit. Me kuqeblutë që të shtunën e kaluar zhvilluan një miqësore ndaj Laçit të humbur në shifrat 2-1 e po ashtu të martën një tjetër duel miqësor ndaj Kukësit kësaj rradhe, e fituar nga 9 herë kampionët e vendit me rezultatin 4-3.

Tashmë miqësorja e rradhës ndaj kavajasve do i “vërë kapakun” një vere të “ngjeshur” për Vllazninë. Me futbollistët e skuadrës që kanë shijuar pak ditë pushimi gjatë këtyre muajve, duke qenë të angazhuar me fazën përgatitore apo edhe duelet e Europës në Conference League.

Në duelin e rradhës sërish Martini pritet të zbresë në fushë shumicën dërrmuese të formacionit titullar të kuqebluve. Ku me interes pritet edhe debutimi i Sherif Kallakut, që nuk ishte i gatshëm në takimin e fundit miqësor ndaj Kukësit. Kështu do jepet “dora e fundit” përgatitjeve para fillimit të sezonit të ri.

Me Vllazninë që do debutoië para tifozëve të saj në javën e parë të edicionit 2025-26. Ku në Shkodër do vijnë kampionët e Egnatias, një kundërshtar dhe rival i fortë i kuqebluve në sezonet e fundit. Ku “hesapet” janë ende të hapura me rrogozhinasit, ndaj të cilëve kuqeblutë do kërkojnë të tregojnë vlerat që në raundin e parë të kampionatit në fundjavë ardhshme.(www.shkodrasport.com)