E nisi sportin në Shqipëri kur ishte vetëm 13 vjeç, më pas e vijoi në Itali, u rikthye përpak kohë sërish në Shkodër për të vazhduar atë por gjërat nuk shkuan ashtu si duhet dhe si rrjedhojë u largua sërish përtej Adriatikut. Një mendje i thoshte për të vijuar jetën atje, një tjetër për t’u rikthyer në vendin e lindjes dhe për ta vijuar atë që kishte lënë përgjysëm.

E kemi fjalën për çiklistin e Vllaznisë Alesio Kola. Një mbiemër i njohur në fakt në këtë sport dhe është e lehtë për ta kuptuar se ka lidhje me dy pjestarë të tjerë të një familje që ka dhënë dhe vazhdon të japë shumë për çiklizmin. Ai është djali i Leonat Kolës, trajnerit aktual të Vllaznisë dhe i vëllai i Brunos, çiklistit të njohur. Është më i vogli i familjes Kola, ndërkohë vëllai i madh- Mario, ka zgjedhur futbollin.

Alesio pasionin për çiklizmin e ka marrë pikërisht të atit dhe vëllait dhe dëshiron ta çojë më tej. Dhe kjo ishte një arsye e fortë pse vendosi të rikthehej në Shkodër. E bëri para gati tre muajsh dhe që atëherë falë një stërvitje shumë intensive dhe të fortë, ia doli që në kampionatin kombëtar që u zhvillua para dy ditësh në Belsh, të renditej i treti në garën e kronometrit individual, ndërsa në atë të rezistencës u rendit i dyti dhe u shpall nënkampion i Shqipërisë për 18 vjeçarët.

Për vetë ecejaket që ka kaluar gjatë këtyre viteve, sigurisht që ka qenë i lumtur dhe në momentin e ngjitjes në podium, nuk i kanë shpëtuar as lotët. Alesio Kola e ka ëndërr të arrij suksese me fanellën kuqeblu të Vllaznisë, ashtu i i ati dikur dhe i vëllai aktualisht.

Duke folur në një rrëfim të shkurtër për gazetën “Shkodra Sport”, ai do të shprehej kështu kur e pyesim pse vendosi të rikthehej në Shqipëri dhe të vijonte sërish sportin e çiklizmit: “Më kishte mbetur që më përpara peng se nuk arrita atë se çfarë doja të bëja në çiklizëm dhe prandaj vendosa të rikthehem sërish këtu e të rifilloj sportin. Që në garën e parë, atë të kampionatit kombëtar që u zhvillua këto ditë, kuptohet që dëshira ishte e madhe të zija vendin e parë dhe në garë kam hyrë për fitore, por jam i kënaqur edhe me vendin e dytë dhe të tretë që zura nisur nga kushtet që kam pas dhe kohën e shkurtër për t’u përgatitur për këto gara”.

Po cilat janë synimet e Alesio Kolës për të ardhmen? Përgjigja e tij është e thjeshtë: “Të vazhdoj ciklin e sukseseve të babait dhe vëllait tim. Ato e dinë si fitohet dhe kjo ma lehtëson disi punën, por natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse më pret një punë e madhe përpara. Synimet e mia janë që të fitoj sa më shumë trofe dhe ta çoj emrin e Vllaznisë aty ku i takon të jetë, në elitën e çiklizmit shqiptar”.

Alesio ka edhe një dedikim për arritjet e tij të para me fanellën e Vllaznisë e për këtë shton: “Padyshim që i gjithë dedikimi për këtë sukses të parë shkon për familjen time e cila më ka mbështetur në këtë rikthim timin në sport, por veçanërisht ia dedikoj babait, që njëkohësisht është edhe trajneri im, i cili më ka dhanë zemër për ta vazhduar sportin dhe kuptohet që do të mundohem të mos e zhgënjej”.(www.shkodrasport.com)